Një aksident rrugor është regjistruar në aksin nacional Qukës-Prrenjas, pranë urës së Torromanit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe kanë përfunduar jashtë rrugës si pasojë e goditjes së fortë.
Nga informacionet paraprake bëhet me dije se njëri prej drejtuesve të mjeteve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa të dy automjetet kanë pësuar dëmtime të rënda.
Dyshohet paraprakisht se lagështia në rrugë mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjeteve. Megjithatë, shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit pritet të përcaktohen nga verifikimet përkatëse.
Në vendngjarje është kërkuar ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për largimin e automjeteve të dëmtuara dhe pastrimin e karrexhatës nga mbetjet e vajrave dhe lëndëve të tjera lubrifikuese, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje dhe aksidente të tjera.
Drejtuesve të automjeteve që përshkojnë këtë aks u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për shkak të lagështisë në rrugë.


