Aludimet për pakt me Ramën për Ministrinë e Bujqësisë, Braçe: Hani paratë e pista të disave, edhe brenda PS që ju paguajnë

14/11/2026 20:44

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ndaj aludimeve, sipas të cilave ai ka arritur një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe për t’u tërhequr nga gara për Bashkinë e Tiranës.

Përmes një reagimi publik, Braçe ka mohuar pretendimet, duke theksuar se votat që ka marrë ndër vite nuk i ka përdorur asnjëherë për pazare personale apo për të siguruar poste politike.

Në fund të reagimit, deputeti ngriti akuza për financime nga persona të lidhur me interesa brenda dhe jashtë Partisë Socialiste, për aludimet ndaj tij.

“Po tani?! Pesë ditë me radhë, Braçe në pazar me Ramën: Merr Bujqësinë, meqë e ke merak, dhe ik nga Bashkia e Tiranës! Pesë ditë rresht në çdo portal e media online. Shpërndarë pafund kudo, shoqëruar me linçim online.

Madje dje, një që po e quaj media, shkruante: Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur e bën ministër!

Po turp a ke?! Apo ç’të duhet, më mirë kështu! Dëgjoni, një gjë dua ta ndaj me cilindo që më ndjek e më ka votuar drejtpërdrejt 30 vite me radhë;

Ato 25 mijë votat në qarkun Tiranë e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë Tiranë, mijëra vota mbledhur në zgjedhje të drejtpërdrejta në 30 vite, s’i kam këmbyer kurrë në pazar personal!

Nuk kanë qenë, nuk janë, nuk do të jenë kurrë nevoja të miat karriget! Gjithë jetën ia kam kushtuar punës, pooo puna është nevojë e imja, atë dua, punën!

Tani, hani pazaret tuaja, siç hani paratë e disa pisave, një pjesë edhe brenda PS-së që ju paguan juve”, tha Braçe.

Top Channel