Një stuhi e fuqishme me breshër gjigant ka goditur provincën e Kordobës në Argjentinë, duke shkaktuar dëme materiale dhe frikë te banorët. Kokrrat e breshrit kanë pasur përmasa të pazakonta, me diametër që në disa zona raportohet se ka kaluar 10 centimetra.

Një nga zonat më të prekura ishte General Roca, ku banorët publikuan pamje të kokrrave gjigante të breshrit. Një prej tyre u vendos në peshore dhe rezultoi me peshë 153.9 gramë.

Pamjet e publikuara tregojnë përmasat e pazakonta të breshrit, me kokrra që krahasohen me madhësinë e një topi tenisi.

Stuhia shkaktoi gjithashtu rrëzimin e pemëve dhe shtyllave elektrike në disa qytete, ndërsa Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Argjentinës kishte lëshuar paralajmërime për stuhi të forta, reshje të rrëmbyeshme dhe rrezik për breshër.

Autoritetet vijojnë të vlerësojnë pasojat e motit ekstrem, ndërsa pamjet nga Kordoba kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale për shkak të përmasave të pazakonta të kokrrave të breshrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb