Brazili befason Barcelonën me vendimin e pazakontë për Raphinhan

Raphinha është përfshirë në një tjetër situatë që pritet të shkaktojë tensione mes Barcelonës dhe Federatës Braziliane të Futbollit, pasi kjo e fundit ka vendosur që sulmuesi të mos largohet nga grumbullimi i kombëtares, pavarësisht se nuk mund të luajë në ndeshjen e radhës.
Ylli i Barcelonës u ndëshkua me karton të kuq në përballjen e Brazilit ndaj Japonisë, duke humbur kështu miqësoren e planifikuar për të martën e ardhshme kundër Singaporit.
Raphinha luajti për 71 minuta në këtë takim, por ndeshja u tensionua në fund, pas golit të fitores së Japonisë, i cili erdhi pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj Joao Gomes.
Futbollisti i Barcelonës dhe përzgjedhësi Carlo Ancelotti u ndëshkuan me kartonë të kuq për protesta ndaj vendimit të gjyqtarit.
Për shkak të përjashtimit, Raphinha duhet të vuajë një ndeshje pezullim dhe nuk do të mund të paraqitet në takimin e ardhshëm, që Brazili do ta zhvillojë në 'National Stadium' të Singaporit.

Fillimisht pritej që sulmuesi të lirohej nga grumbullimi, në mënyrë që të kthehej më herët te Barcelona dhe të ishte në dispozicion të klubit. Kjo ka qenë një praktikë e zakonshme e Federatës Braziliane në raste të ngjashme, si në ndeshjet miqësore, ashtu edhe në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës.
Megjithatë, këtë herë federata ka marrë një vendim tjetër.
Rodrigo Caetano, koordinatori i përgjithshëm ekzekutiv i kombwtares së Brazilit, konfirmoi se Raphinha do të qëndrojë me ekipin në Singapor, edhe pse nuk do të mund të luajë.
“Raphinha do të qëndrojë. Për momentin, ai do të vazhdojë të jetë me ne. Nuk ka kuptim largimi i tij, pasi është një prej liderëve tanë”, deklaroi Caetano.
Sipas gazetës katalunase Sport, ky vendim ka hapur një tjetër çështje mes Federatës Braziliane dhe Barcelonës, pasi klubi katalunas nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin aq herët sa pritej.
Ndërkohë, edhe Ancelotti do të mungojë në pankinë në ndeshjen ndaj Singaporit, për shkak të kartonit të kuq, duke ia lënë drejtimin e skuadrës njërit prej bashkëpunëtorëve të tij./Telegrafi/










































