E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Skandali i pronave në Fier, gjykata lë pas hekurave ish-kreun e Kadastrës dhe 2 të tjerë
Lajme

Skandali i pronave në Fier, gjykata lë pas hekurave ish-kreun e Kadastrës dhe 2 të tjerë

Gjykata e Fierit ka vendosur të lërë në burg drejtorin e Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, dhe noteren Anila Haxhiu, të arrestuar në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e dyshuar të një sipërfaqeje prej 44.100 metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës.

Për punonjësin e Kadastrës, Fjorelo Bida, gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë, duke vendosur pezullimin nga detyra, ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur. Ndërsa për Arbina Jaupajn janë caktuar masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave nga gjyqtari Noel Veizi, me prokuror Leonard Suçin.

Tre personat ndaj të cilëve u vendos masa e arrestit në burg u prangosën të enjten. Ata dyshohen për mashtrim, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Si u tjetërsuan 44 mijë metra katrorë tokë shtetërore

Sipas hetimeve të Prokurorisë, sipërfaqja prej 44.100 metrash katrorë është regjistruar në mënyrë të paligjshme në pronësi private, përmes përdorimit të dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara dhe referencave kadastrale që i përkisnin një prone tjetër, me sipërfaqe vetëm 4 mijë metra katrorë.

Në këtë mënyrë, toka dyshohet se është regjistruar në emër të një familjeje, ndonëse për sipërfaqen e plotë nuk ekzistonte një titull pronësie.

Më 30 janar 2023, prona është shitur për 88.200 euro te persona të tretë, të cilët synonin ta përdornin për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Në transaksion, sipas organit të akuzës, rol ka pasur Dilaver Shyti, i cili vepronte si përfaqësues me prokurë i familjes shitëse. Ai dyshohet se ka gjetur blerësin, ka negociuar çmimin dhe ka firmosur kontratën pa dijeninë e pronarëve të pretenduar.

Paratë e përfituara nga shitja janë transferuar në llogarinë bankare të përfaqësuesit, pa iu dorëzuar familjes.

Paratë e gjetura në banesën e drejtorit të spitalit

Një tjetër element i hetimit lidhet me kontrollin e ushtruar në banesën e Arben Vojës në Fier. Aty hetuesit kanë gjetur shtatë zarfe me para, mbi të cilat ishin shënuar emra dhe shënime të ndryshme.

Në total janë sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu.

Dosja përmban edhe dyshime për një përpjekje për të tërheqjen e kallëzimit. Sipas Prokurorisë, një prej personave nën hetim dyshohet se u ka dhënë të dëmtuarve 15 mijë euro, me qëllim që ata të hiqnin dorë nga denoncimi.

Veprimet e dyshuara për tjetërsimin e pronës lidhen me periudhën kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit.

Voja, i përmendur edhe në hetime të tjera

Emri i Arben Vojës është shfaqur edhe në dosje të mëparshme. Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës depozitoi në SPAK një kallëzim për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, ku pretendohej se shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 9.5 milionë lekësh.

Më pas, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë ish-punonjës të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër. Ata dyshoheshin për shpërdorim detyre në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore dhe mosmbledhjen e tarifave përkatëse.

Hetimet për tjetërsimin e tokës shtetërore në Povelçë vijojnë, ndërsa organi i akuzës synon të përcaktojë përgjegjësinë individuale të secilit prej personave të përfshirë në këtë çështje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.