Një deklaratë e fortë mësohet të jetë bërë nga ish-kryeministri dhe ish-deputeti socialist, Pandeli Majko, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Burime nga mbledhja për “BalkanWeb” bëjnë me dije se Majko ka paralajmëruar për ekzistencën e rreth 1 mijë orëve filmime, ku pretendohet se shfaqen eksponentë socialistë në video me përmbajtje erotike dhe korruptive.
“Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të ketë deklaruar Majko.
Sipas të njëjtave burime, ish-kryeministri u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në këto materiale të largohen nga funksionet e tyre përpara publikimit të mundshëm të pamjeve.
Deklarata e fortë raportohet të jetë bërë në një mbledhje të tensionuar të Asamblesë së PS-së, ku kryeministri Edi Rama ka kërkuar gjithashtu përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga radhët e Partisë Socialiste.
