Saturday / November 14 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Intervistë e posaçme Lajmet Kryesore Nga Vendi

Shtresa e mesme po tkurret? Çfarë tregojnë realisht shifrat e INSTAT

Share Share Icon

Intervistë me Dr. Lantona Sado, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT

 

Konceptet mbi shtresën e mesme dhe pabarazinë ekonomike në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje mbi zhvillimin e mirëqenies së familjeve shqiptare. Por çfarë tregojnë statistikat zyrtare?

Në një perspektivë afatgjatë, të dhënat e INSTAT evidentojnë një rënie të pabarazisë së të ardhurave. Koeficienti Gini ka zbritur nga 36,8% në AANJ 2017, në 30,4% në AANJ 2025, ndërsa raporti ndërmjet të ardhurave të 20% të popullsisë më të pasur dhe 20% më të varfër (S80/S20) është ulur nga 7,5 në 4,8.

Shkalla e rrezikut të varfërisë ka zbritur në 19,0%, nga 23,7% që ishte në 2017.

Megjithatë, rezultatet e anketës më të fundit tregojnë një rritje të lehtë të pabarazisë krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme të ekuivalentuara (për frymë)  kanë arritur në 56.487 lekë, duke u rritur nominalisht me 10,5% krahasuar me anketën e mëparshme.

Por a nënkupton ulja e pabarazisë në afatgjatë edhe zgjerimin e shtresës së mesme? A është përkthyer rritja e të ardhurave në përmirësim të fuqisë blerëse dhe sa përputhen perceptimet e qytetarëve apo studiuesëve me treguesit statistikorë?

Në një intervistë për “Monitor”, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Dr. Lantona Sado, shpjegon zhvillimet e pabarazisë, kriteret ndërkombëtare për matjen e shtresës së mesme dhe rëndësinë e interpretimit të saktë të statistikave zyrtare.

Ajo flet gjithashtu për aksesin në mikrodata dhe nismat e reja të bashkëpunimit me universitetet dhe studiuesit, për të nxitur analiza më të thelluara mbi mirëqenien dhe zhvillimet ekonomike e sociale në Shqipëri.

 

Kohët e fundit, në debatin publik shqiptar është diskutuar gjithnjë e më shumë për tkurrjen e shtresës së mesme dhe pabarazinë ekonomike. Si e vlerësoni këtë debat dhe cili është roli i INSTAT në ofrimin e një panorame objektive, të mbështetur në statistika zyrtare?

Debati mbi shtresën e mesme dhe pabarazinë ekonomike është i rëndësishëm, pasi lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien e familjeve, mundësitë ekonomike dhe zhvillimin social të vendit. Është e natyrshme që këto çështje të jenë në vëmendjen e studiuesve të ekonomisë, akademikëve, medias dhe qytetarëve.

Megjithatë, për të zhvilluar një debat të informuar dhe të bazuar në shifra, është e nevojshme që konceptet dhe metodologjitë të mbështeten në përkufizime të qarta dhe në tregues statistikorë të verifikueshëm.

Roli i INSTAT është pikërisht të sigurojë këtë bazë informacioni. Si institucioni përgjegjës për statistikat zyrtare, ne prodhojmë dhe publikojmë të dhëna mbi të ardhurat, kushtet e jetesës, punësimin, çmimet dhe tregues të tjerë ekonomikë e socialë, të cilët ndihmojnë në kuptimin e zhvillimeve në shoqërinë shqiptare.

Dëshiroj të theksoj se roli ynë nuk kufizohet vetëm në publikimin e shifrave. Ne kemi gjithashtu përgjegjësinë t’i shpjegojmë ato, të sqarojmë metodologjitë dhe të ndihmojmë përdoruesit të kuptojnë çfarë tregojnë dhe çfarë nuk mund të provojnë statistikat, duke ruajtur krahasueshmërinë si një nga parimet themelore të tyre.

Është përgjegjësia jonë të garantojmë që diskutimi të zhvillohet mbi një bazë të përbashkët faktesh dhe informacioni të besueshëm, në mënyrë që debati të mos mbetet në nivelin e këndvështrimeve personale, por të mbështetet në tregues të matshëm, duke u ofruar studiuesve dhe vendimmarrësve statistika të sakta për të adresuar problemet dhe për të hartuar politika që ndihmojnë në zgjidhjen e tyre.

 

Termi “shtresë e mesme” përdoret gjerësisht, por jo gjithmonë me të njëjtin kuptim. Si përkufizohet ky koncept sipas metodologjive ndërkombëtare dhe si mund të matet konkretisht në Shqipëri?

Së pari, është e rëndësishme të sqarojmë se nuk ekziston një përkufizim i vetëm universal i shtresës së mesme. Në literaturën ekonomike dhe sociologjike, ky koncept mund të lidhet me nivelin e të ardhurave, profesionin, arsimin, pasurinë, konsumin apo sigurinë ekonomike të familjeve.

Një ndër qasjet e përdorura ndërkombëtarisht është ajo e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila identifikon si popullsi me të ardhura të mesme individët që jetojnë në familje me të ardhura të disponueshme të ekuivalentuara ndërmjet 75% dhe 200% të medianës kombëtare.

Ky përkufizim mundëson identifikimin e grupeve të popullsisë sipas pozicionit të tyre në shpërndarjen e të ardhurave, duke marrë parasysh madhësinë dhe përbërjen e familjes.

Në Shqipëri, anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, e njohur si AANJ, përbën një burim të rëndësishëm për realizimin e analizave të tilla.

Megjithatë, duhet bërë dallimi midis shtresës me të ardhura të mesme dhe konceptit më të gjerë të shtresës së mesme. Një familje mund të pozicionohet në mes të shpërndarjes së të ardhurave, por të ketë vështirësi për të përballuar shpenzime të papritura, strehimin apo koston e jetesës.

Prandaj, për një analizë më të plotë, përveç të ardhurave, do të ishte e dobishme të përfshiheshin edhe tregues mbi fuqinë blerëse, privimin material dhe sigurinë ekonomike e financiare.

 

INSTAT publikon tregues të rëndësishëm mbi shpërndarjen e të ardhurave, si koeficienti Gini dhe raporti S80/S20. Çfarë tregojnë këta tregues për ecurinë e pabarazisë në Shqipëri gjatë viteve të fundit? A mund të interpretohet ulja e pabarazisë si tregues i zgjerimit të shtresës së mesme?

INSTAT publikon rregullisht treguesit e pabarazisë së të ardhurave nëpërmjet Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës.

Megjithatë, është e rëndësishme të sqarojmë dy elemente:

Së pari, të ardhurat e mbledhura në AANJ 2025 i referohen vitit kalendarik 2024, ndërsa ato të AANJ 2024 i referohen vitit 2023. Pra, po krahasojmë shpërndarjen e të ardhurave të dy viteve të njëpasnjëshme.

Së dyti, ndryshimi i treguesve nuk identifikon automatikisht faktorët që e kanë shkaktuar atë.

Pabarazia mund të ndikohet nga ecuria e të ardhurave nga punësimi, vetëpunësimi, pensionet, transfertat sociale, të ardhurat nga prona dhe burime të tjera, si edhe nga ndryshimet në strukturën e familjeve dhe në karakteristikat e popullsisë.

Për të përcaktuar kontributin konkret të këtyre faktorëve, do të ishte e nevojshme një analizë më e detajuar e mikrodatave, përfshirë shpërndarjen e të ardhurave sipas grupeve të popullsisë, burimeve të të ardhurave dhe karakteristikave socio-ekonomike të familjeve.

Në mungesë të një analize të tillë, nuk do të ishte e saktë t’ia atribuojmë rritjen e pabarazisë një faktori të caktuar.

Koeficienti Gini mat shkallën e pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave, ndërsa raporti S80/S20 krahason të ardhurat e 20% të popullsisë me të ardhurat më të larta me ato të 20% të popullsisë me të ardhurat më të ulëta.

Të dhënat tregojnë se, pabarazia e matur e të ardhurave ka shfaqur një prirje rënëse. Në anketën e vitit 2017, koeficienti Gini ishte 36,8%, ndërsa në anketën e vitit 2025 vlerësohet 30,4%. Në të njëjtën periudhë, raporti S80/S20 ka pësuar rënie nga 7,5 në 4,8.

 

 

Shpesh, në perceptimin e qytetarëve, rritja e kostos së jetesës dhe vështirësitë për të përballuar shpenzimet lidhen me dobësimin e shtresës së mesme. Si mund të analizohen këto zhvillime përmes statistikave të të ardhurave, fuqisë blerëse dhe kushteve të jetesës?

Një rritje e të ardhurave në vlerë monetare nuk përkthehet domosdoshmërisht në të njëjtën rritje të fuqisë blerëse.

Sipas rezultateve të AANJ 2025, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme të ekuivalentuara janë vlerësuar në 56.487 lekë, nga 51.122 lekë në anketën 2024, duke shënuar një rritje nominale prej 10,5%.

Këta tregues ofrojnë dimensione të ndryshme të mirëqenies dhe duhet të interpretohen së bashku. Ndërkohë që të ardhurat mund të rriten, familje të ndryshme mund të përballen me presione të ndryshme financiare, në varësi të shpenzimeve, përbërjes familjare dhe kushteve të tyre ekonomike.

Në këtë kuptim, statistikat e të ardhurave, indeksi i çmimeve të konsumit dhe treguesit e privimit material e social përbëjnë burime plotësuese për të kuptuar më mirë nivelin e jetesës.

Në një perspektivë më të gjatë, treguesit e pabarazisë kanë shfaqur një prirje rënëse. Megjithatë, kjo nuk përjashton luhatjet ndërmjet viteve, të cilat duhen analizuar me kujdes.

Për INSTAT, është e rëndësishme që të dallojmë qartë rezultatet e matjes statistikore nga analizat që synojnë të shpjegojnë shkaqet e zhvillimeve ekonomike. Të dyja janë të rëndësishme, por kërkojnë qasje metodologjike të ndryshme.

Qëllimi është të ofrojmë një panoramë sa më të plotë, duke dalluar zhvillimet që evidentojnë të dhënat nga interpretimet më të gjera socio-ekonomike.

 

Të dhënat statistikore shpesh shoqërohen me interpretime dhe përfundime të ndryshme. Ku qëndron roli i INSTAT në interpretimin e statistikave zyrtare dhe si ruhet paanshmëria institucionale në trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri publike?

INSTAT prodhon, publikon dhe interpreton statistikat sipas metodologjive dhe standardeve profesionale, në mënyrë të pavarur nga interesat apo qëndrimet e aktorëve të ndryshëm.

Megjithatë, paanshmëria nuk nënkupton që institucioni duhet të qëndrojë pasiv kur të dhënat interpretohen në mënyrë të pasaktë.

Ne e konsiderojmë pjesë të përgjegjësisë sonë institucionale shpjegimin e treguesve, metodologjive dhe kufizimeve të tyre, në mënyrë që publiku të ketë informacionin e nevojshëm për të krijuar gjykimin e vet.

Nga ana tjetër, analizat mbi ndikimin e politikave ekonomike, vlerësimet e shkaqeve të zhvillimeve sociale dhe rekomandimet për politika publike kërkojnë studime të posaçme dhe janë pjesë e një diskutimi më të gjerë, ku kontribuojnë akademikët, studiuesit dhe institucionet përgjegjëse për politikëbërjen.

 

Përtej treguesve të agreguar që publikohen rregullisht, INSTAT ofron edhe mundësi aksesi në mikrodata për qëllime kërkimore. Çfarë mundësish kanë universitetet, studiuesit dhe ekspertët për t’i përdorur këto të dhëna në analiza të pavarura, si për shembull për matjen e shtresës së mesme, dhe si garantohet konfidencialiteti statistikor?

Në rastin e debatit mbi shtresën e mesme, mikrodatat e AANJ përbëjnë një burim potencialisht të rëndësishëm për studime të pavarura, në varësi të disponueshmërisë së bazës së të dhënave përkatëse dhe kushteve të aksesit.

Një element që dëshiroj të theksoj është se ulja e pabarazisë nuk nënkupton automatikisht zgjerimin e shtresës me të ardhura të mesme.

Këta janë tregues që matin fenomene të lidhura, por jo identike. Për të përcaktuar nëse shtresa me të ardhura të mesme është zgjeruar apo tkurrur, nevojitet të matet drejtpërdrejt përqindja e popullsisë që përfshihet në intervalet e përcaktuara të të ardhurave dhe ndryshimi i kësaj përqindjeje ndër vite.

Një element i rëndësishëm i punës sonë është jo vetëm prodhimi i statistikave, por edhe krijimi i mundësive që ato të përdoren për analiza dhe kërkime më të thelluara.

INSTAT ofron një bazë të gjerë statistikore, si dhe sisteme të dedikuara aksesi në të dhëna për studiuesit, në mënyrë që grupet e interesit të kenë informacion statistikor në formate të hapura për të kryer studime, të cilat më pas mund të përkthehen në politika të dobishme për qytetarët.

Aksesi në këto të dhëna u mundëson studiuesve të zhvillojnë analiza që nuk mund të realizohen vetëm me tabelat e agreguara, si studimi i shpërndarjes së të ardhurave sipas grupeve të popullsisë, karakteristikave familjare apo faktorëve të tjerë socio-ekonomikë.

INSTAT ka miratuar një kuadër rregullator për aksesin në mikrodata, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare, me parimet e konfidencialitetit statistikor dhe me praktikat më të mira evropiane të aksesit në këto baza të dhënash.

Në këtë kuadër gjatë vitit 2026, në kemi rritur jo vëtëm gamën e të dhënave të vënë në dispozicion për përdoruesit shkencorë por dhe afatin e shqyrtimit të kërkesave.

Pikërisht për këtë arsye, interpretimi statistikor duhet të mbështetet në disa tregues plotësues. Shembuj të tillë të cilat përtej statistikave zyrtare bëjë përpjekje për te evidentuar shtresën e mesme të popullisë ka plot.

Një ndër studimet më përfaqësuese është dhe ai i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, mbi shtresëzimin e popullsisë (75%-200% të medianës së të ardhurave) – OECD: Tkurrja dhe sfidat e shtresës së mesme (2019).

 

Duke marrë parasysh interesin e shtuar për këtë temë, a mund të ndërmarrë INSTAT iniciativa të tjera për të lehtësuar përdorimin e të dhënave, për të nxitur bashkëpunimin me botën akademike dhe për të mbështetur një debat publik më të informuar mbi zhvillimet ekonomike dhe sociale në Shqipëri?

Sigurisht, përmirësimi i aksesit dhe nxitja e përdorimit të të dhënave përbëjnë drejtime të rëndësishme për zhvillimin e statistikave zyrtare.

Ne vlerësojmë se të dhënat statistikore krijojnë më shumë vlerë kur përdoren për kërkime shkencore, analiza ekonomike, vendimmarrje dhe informim publik.

Në këtë kuadër, INSTAT ka krijuar mekanizma për shqyrtimin e kërkesave për akses në mikrodata, në përputhje me rregullat e përcaktuara dhe kërkesat e konfidencialitetit.

Për ne është e rëndësishme që studiuesit dhe institucionet kërkimore të kenë informacion të qartë mbi të dhënat e disponueshme, kriteret e aplikimit, procedurat e shqyrtimit dhe kushtet e përdorimit.

Njëkohësisht, shohim vlerë në zgjerimin e bashkëpunimit me universitetet dhe komunitetin akademik, në zhvillimin e aktiviteteve informuese dhe në përmirësimin e dokumentacionit që shoqëron të dhënat.

Debati aktual për shtresën e mesme është një shembull konkret se si të dhënat e INSTAT mund të shërbejnë si bazë për kërkime dhe analiza të mëtejshme nga ekspertë të ndryshëm.

Në këtë drejtim, INSTAT synon të forcojë më tej bashkëpunimin me botën akademike, institucionet kërkimore dhe ekspertët e fushës, duke vendosur në qendër nxitjen e përdorimit të mikrodatave të INSTAT për qëllime kërkimore dhe analiza të thelluara shkencore.

Në këtë kuadër, synojmë të nxisim ngritjen e grupeve tematike të punës, me pjesëmarrjen e ekspertëve të INSTAT, akademikëve dhe kërkuesve shkencorë, për të promovuar përdorimin e mikrodatave në studime mbi pabarazinë, varfërinë, shtresën e mesme, tregun e punës dhe kushtet e jetesës.

Këto grupe do të krijonin mundësi për shkëmbimin e njohurive metodologjike, identifikimin e potencialit analitik të të dhënave dhe zhvillimin e kërkimeve të pavarura.

Një tjetër nismë që synojmë të zhvillojmë është organizimi i një konference shkencore, ku studiuesit që kanë realizuar kërkimet e tyre duke përdorur mikrodatat e INSTAT të kenë mundësi të prezantojnë rezultatet, metodologjitë dhe përfundimet e studimeve të tyre.

Synimi ynë është që statistikat zyrtare të mos mbeten vetëm tregues të publikuar, por të shndërrohen në një burim gjithnjë e më të përdorshëm për kërkimin shkencor, analizën ekonomike dhe informimin e shoqërisë.

Hapja ndaj përdoruesve, transparenca metodologjike dhe mbrojtja e konfidencialitetit nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, ato janë elemente plotësuese të një sistemi statistikor modern dhe të besueshëm.

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

“Rritja e TVSH-së do të shtrenjtojë paketat turistike deri në 15%, rrezikohet konkurrueshmëria”

Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar   Rritja e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, e parashikuar në Paketën e re Fiskale, prit...

6 minutes më parë 9 Min Lexim

“Rritja e TVSH-së na bën më pak konkurrues në rajon, masa godet biznesin formal”

Flet Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit   Bizneset e regjistruara të akomodimit rrezikojnë të mbajnë peshën kryesore të ndryshimeve t...

7 minutes më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!