“Rritja e TVSH-së do të shtrenjtojë paketat turistike deri në 15%, rrezikohet konkurrueshmëria”

Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar
Rritja e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, e parashikuar në Paketën e re Fiskale, pritet të shtrenjtojë paketat turistike në Shqipëri deri në 15%, duke rrezikuar konkurrueshmërinë e vendit në tregun ndërkombëtar.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, paralajmëron se ndryshimet fiskale, të kombinuara me zhvlerësimin e euros dhe rritjen e kostove të operimit, do të rëndojnë mbi bizneset turistike, ndërsa hotelet me kontrata të parashitura për vitin 2027 do të detyrohen ta përballojnë vetë koston shtesë.
Sipas tij, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e çmimeve të ulëta, që ka qenë një nga faktorët kryesorë të tërheqjes së turistëve të huaj.
Në intervistën për “Monitor”, z. Kasa vlerëson se turizmi do ta mbyllë vitin 2026 me rritje më të dobët se pritshmëritë. Ai kërkon unifikimin e TVSH-së në nivelin 10% për të gjithë zinxhirin e shërbimeve turistike, si një mënyrë për të krijuar një sistem më të drejtë dhe të parashikueshëm për sektorin.
Si e vlerësoni propozimin e qeverisë në paketën e re fiskale për rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10%? Çfarë ndikimi prisni të ketë në konkurrueshmërinë e vendit në aspektin e turizmit?
Ne e kemi thënë vazhdimisht dhe prej vitesh kemi kërkuar që të mos ketë shkallë të diferencuara të TVSH-së brenda sektorit të turizmit. Propozimi ynë ka qenë që të aplikohet një shkallë e unifikuar prej 10% për të gjithë sektorin, duke përfshirë të gjithë zinxhirin e shërbimeve turistike.
Një nivel i tillë do të ishte i përshtatshëm për ne dhe do të na vendoste në një pozicion më konkurrues se Greqia, e cila aplikon një TVSH prej 13% dhe që është një nga konkurrentët tanë kryesorë, por edhe një prej destinacioneve më të preferuara turistike.
Rritja e TVSH-së nga 6% në 10% vetëm për akomodimin na vendos në nivele të krahasueshme me vende që janë shumë më të konsoliduara se Shqipëria në aspektin turistik, si Kroacia apo Italia.
Kjo përbën një barrë shtesë për sektorin, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në shtrenjtimin e paketave turistike në Shqipëri.
Duhet të kemi parasysh se Shqipëria tërheq kryesisht segmentin e turistëve me buxhet të ulët (low cost), për të cilët çmimi është një nga kriteret kryesore në zgjedhjen e destinacionit. Për këtë kategori turistësh, çdo rritje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen për pushimet.
Një pjesë e strukturave akomoduese, veçanërisht në Golem, Durrës por edhe Vlorë, operojnë me turizëm të organizuar, përmes kontratave të garancisë dhe rezervimeve të kryera paraprakisht. Çfarë do të ndodhë me hotelet që i kanë shitur tashmë paketat për vitin 2027 me çmime që nuk e përfshijnë rritjen e TVSH-së?
Për këto struktura, rritja e TVSH-së do të përbëjë një barrë të drejtpërdrejtë financiare. Në rastet kur hotelet kanë lidhur marrëveshje paraprake për vitin 2027, ato do të detyrohen ta përballojnë vetë këtë kosto shtesë, duke e zbritur nga fitimi apo duke bërë përshtatje në zëra të tjerë të shpenzimeve.
Në rastin e kontratave të garancisë, çmimet janë të përcaktuara dhe hotelet nuk mund t’i ndryshojnë në mënyrë të njëanshme. Ato nuk mund të rrezikojnë as marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët bashkëpunojnë. Për këtë arsye, do të jenë të detyruara ta përballojnë vetë rritjen e barrës fiskale.
Për vitin 2028 që negociohet gjatë vitit 2027, rritja e TVSH-së do të reflektohet me siguri në kontratat e reja.
Nga ana tjetër, për strukturat që nuk operojnë me kontrata garancie, si dhe për segmentin e turizmit individual, rritja e TVSH-së do të reflektohet në çmimet e vitit 2027, si në platformat e rezervimeve online, ashtu edhe në ofertat e agjencive turistike.
Dua të theksoj se kjo rritje e TVSH-së vjen në një periudhë kur zhvlerësimi i euros kundrejt lekut vazhdon të ndikojë negativisht në të ardhurat e sektorit.
Duke i marrë së bashku këta dy faktorë, vlerësoj se çmimet e akomodimit mund të rriten me 10-15%, ku një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje lidhet me efektin e kursit të këmbimit.
Shtrenjtimi i akomodimit mund të krijojë më pas një efekt zinxhir. Nëse Shqipëria bëhet një destinacion më i shtrenjtë, mund të përballet me rënie të interesit nga turistët e huaj.
Në Europë po vërehet një prirje që shpenzimet për turizëm të planifikohen me më shumë kujdes. Europianët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve më të lira dhe më pranë vendeve të tyre.
Nëse ne rrisim çmimet, rrezikojmë të humbasim konkurrueshmërinë pikërisht në segmentin ku kemi qenë më të fortë. Duhet të pranojmë se një nga arsyet kryesore pse turistët e kanë zgjedhur Shqipërinë ndër vite ka qenë çmimi relativisht i ulët.
Sektori do të përballet me një rritje të ndjeshme të kostove. Përveç ndryshimit të TVSH-së së akomodimit në 10%, kemi edhe TVSH-në prej 1% për shërbimet, si dhe ndryshimet që prekin tatimin mbi dividendin, ku parashikohet një nga rritjet më të mëdha.
Të gjithë këto elemente përbëjnë kosto shtesë, që në fund do të reflektohen në çmimin e shërbimeve turistike.
A mendoni se rritja e barrës fiskale, e kombinuar me zhvlerësimin e euros dhe kostot e tjera të operimit, mund të frenojë investimet dhe zgjerimin e bizneseve në sektorin e turizmit?
Kjo është e pritshme. Kur një biznes përballet me kosto vazhdimisht në rritje, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të tij ndikohet negativisht nga zhvlerësimi i euros, hapësirat për investime të reja ngushtohen.
Këtu nuk po përfshij as shpenzimet për energjinë apo kostot e tjera të operimit, të cilat gjithashtu vazhdojnë të rriten.
Në kushte të tilla, është e natyrshme që bizneset të përqendrohen fillimisht te mbijetesa dhe ruajtja e aktivitetit ekzistues, në vend që të planifikojnë zgjerimin apo investime të reja.
Përtej ndryshimeve të paralajmëruara fiskale, muajt e fundit të vitit 2026 janë shoqëruar edhe me protesta dhe tensione. A keni konstatuar anulime rezervimesh apo një rënie të kërkesës, veçanërisht në Tiranë? Sa është dëmtuar imazhi i Shqipërisë si destinacion turistik?
Një situatë e tillë është reflektuar në rënien e numrit të turistëve, veçanërisht në Tiranë. Gjithsesi, duke qenë se kjo periudhë konsiderohet sezon i ulët turistik, rënia nuk ka qenë shumë e madhe.
Duhet marrë parasysh edhe fakti se situata të ngjashme nuk janë regjistruar vetëm në Shqipëri, por edhe në disa vende të tjera në të njëjtën periudhë. Kjo e ka zbutur disi ndikimin që mund të kishte një zhvillim i tillë, nëse do të ishte një ngjarje e izoluar vetëm në vendin tonë.
Nuk mendoj se këto zhvillime e kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik, por sigurisht që kanë pasur njëfarë ndikimi në aktivitetin e sektorit.
Si e parashikoni ecurinë në 2027-n, duke marrë parasysh rritjen e barrës fiskale, zhvillimet e fundit dhe ecurinë më të dobët se pritshmëritë të turizmit gjatë vitit 2026?
Kjo mbetet për t’u parë. Barra fiskale do të ketë ndikimin e saj dhe duhet të kemi parasysh se ndryshimet e propozuara vijnë njëkohësisht me rritjen e kostove të tjera të operimit.
Për momentin është e vështirë të përcaktohet se si do të jetë situata gjatë vitit 2027.
Ajo që mund të them është se viti 2026 pritet të mbyllet me një rritje më të ulët të aktivitetit turistik sesa parashikonim përpara sezonit veror dhe gjatë verës.
Edhe të dhënat e INSTAT-it tregojnë se deri më tani, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me rreth 4%, një ritëm që, sipas vlerësimit tim, mbetet i ulët në raport me pritshmëritë që kishim për këtë vit.
Çfarë masash do ta ndihmonin Shqipërinë të ruante ritmin e zhvillimit turistik të viteve të fundit, në një kohë kur rritja po jep sinjale ngadalësimi dhe konkurrenca nga vendet e rajonit mbetet e fortë?
Siç e theksova edhe më parë, ne kemi rekomanduar prej kohësh aplikimin e një shkalle të unifikuar të TVSH-së prej 10% për të gjithë sektorin e turizmit.
Kjo do të thotë që norma të mos zbatohet vetëm për akomodimin, por të përfshijë të gjithë zinxhirin e shërbimeve turistike, si shërbimet SPA, transportin turistik dhe bar-restorantet brenda strukturave akomoduese të certifikuara.
Një sistem i tillë do të ishte shumë më i thjeshtë për t’u zbatuar dhe për t’u administruar.
Ekzistenca e disa shkallëve të ndryshme të TVSH-së brenda të njëjtit sektor krijon ndërlikime në funksionimin e bizneseve, rrit hapësirat për informalitet dhe na bën më pak konkurrues në raport me destinacionet e tjera.
Unifikimi i TVSH-së nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të përmirësojë menjëherë gjendjen financiare të bizneseve, por do ta bënte sistemin e taksimit më të drejtë, më të thjeshtë dhe më të parashikueshëm për të gjithë sektorin.
Lexoni edhe:
Rritja e TVSH, goditja e radhës për turizmin
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






