Jonida Maliqi përplaset live me psikologen Anjeza Dishnica në “Goca dhe Gra”/ Këngëtarja: Me the im bir nuk do të bëhet kurrë, i ke parë fëmijët si bankomate

14/11/2026 22:35

Një debat i ashpër është zhvilluar në programin “Goca dhe Gra”, ku këngëtarja Jonida Maliqi është përballur drejtpërdrejt me psikologen Anjeza Dishnica lidhur me trajtimin e fëmijëve në spektrin e autizmit.

Përplasja lidhet edhe me përvojën personale të këngëtares, e cila ka një djalë në spektrin e autizmit dhe ka ndarë shqetësimet e saj për mënyrën se si është trajtuar dhe informuar familja gjatë procesit të vlerësimit.

Diskutimi u përqendrua te rëndësia e vlerësimit të saktë, ndërhyrjes terapeutike dhe mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët në spektrin e autizmit. Psikologia theksoi se procesi i vlerësimit duhet të kryhet nga ekipe multidisiplinare, ndërsa prindërit duhet të informohen për rëndësinë e trajtimit të përshtatshëm.

Gjatë bisedës, Dishnica foli edhe për përvojën e saj profesionale, duke kujtuar se në vitin 2009 kishte qenë drejtoresha e parë e qendrës që kishte ngritur dhe drejtuar, përpara se të largohej për të ndjekur një tjetër perspektivë profesionale.

Pjesë e debatit u bë edhe historia personale e Jonida Maliqit. Psikologia i drejtoi këngëtares pyetje lidhur me terapitë që kishte ndjekur djali i saj ndër vite dhe mbështetjen që kishte marrë familja pas identifikimit të vështirësive.

Dishnica u ndal te terapia ABA, duke shpjeguar se kjo metodë aplikohej në Shqipëri që prej vitit 2014. Sipas saj, trajtimi përfshin zhvillimin e aftësive individuale të fëmijës dhe më pas socializimin, i cili mund të jetë një proces veçanërisht sfidues për fëmijët në spektrin e autizmit.

Debati u tensionua më tej kur u kërkuan sqarime mbi pretendimin e Jonidës se diagnoza e fëmijës së saj ishte përcaktuar nga vetë specialistja.

Maliqi u shpreh se mënyra se si i ishte komunikuar informacioni për të birin e kishte traumatizuar atë dhe prindin tjetër të Danit. Sipas saj, kjo përvojë kishte ndikuar në besimin e tyre ndër vite, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë njerëzor.

Në një moment të debatit, Jonida bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj psikologes, duke pretenduar se ajo i kishte thënë se i biri “nuk do të bëhet kurrë” dhe se i kishte rekomanduar të ndiqte pesë deri në gjashtë orë terapi në ditë në qendrën e saj.

“Ti i ke parë fëmijët si bankomate, e dashur. Dhe këtu ndahet mjekësia me njerëzoren”, u shpreh këngëtarja, duke shtuar se nuk ishte rasti i vetëm. Ajo pretendoi gjithashtu se psikologia e kishte këshilluar të mos e dërgonte të birin në kopsht dhe në shkollë, por ta përfshinte në disa orë terapi në qendrën e saj.

“Duhet të vijë të bëjë 5-6 orë terapi në qendrën time për të përfituar ti paratë tona”, ishte akuza e Jonidës gjatë përplasjes.

Nga ana tjetër, Anjeza Dishnica deklaroi se problematikat i kishte identifikuar që në kontaktin e parë me familjen, duke theksuar se procesi i identifikimit nis që në takimin fillestar.

Top Channel