Gjykata e Fierit ka caktuar vijimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për drejtorin e spitalit, Arben Voja, dhe dy persona të tjerë, dyshuar për tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës. Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Sipas hetimeve, toka dyshohet se është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik. Sipas vendimit të gjykatës, vijon masa e sigurisë “Arrest në burg” për personat nën hetim, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti dhe noteren Anila Haxhiu. Ndërkohë, për ish-punonjësen e Kadastrës, Fjorelo Bida, është vendosur zëvendësimi i arrestit në burg me masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.