Një debat i pazakontë është zhvilluar të shtunën mes dy deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku dhe Avdullah Hoti, lidhur me gjendjen e sektorit energjetik në Kosovë dhe përgjegjësinë politike për të.

Një ditë pasi çështja e energjisë elektrike u diskutua në Kuvendin e Kosovës, debati ka vazhduar në Facebook, kësaj radhe jo mes pozitës dhe opozitës, por mes dy deputetëve të së njëjtës parti.


Fillimisht, Ermal Sadiku ka kritikuar mungesën e investimeve dhe faktin që Kosova vazhdon të mbështetet në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të cilat kanë nisur ndërtimin përkatësisht në vitin 1960 dhe 1977.

Ai ka thënë se Kosova sot prodhon më pak energji elektrike sesa para dhjetë vjetësh, duke kërkuar reflektim nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet.

“Duhet të ulemi bashkë dhe ta ndërtojmë një strategji afatgjatë për energjinë. Pa interesa partiake, pa inate, pa ego personale. Me ekspertë, me dije dhe me përgjegjësi shtetërore”, ka shkruar Sadiku.

Në reagim ndaj tij, Avdullah Hoti ka rikujtuar anulimin e dy projekteve madhore energjetike nga Qeveria Kurti, Termocentralin Kosova e Re dhe projektin e gazit.

Sipas Hotit, nëse këto projekte nuk do të anuloheshin, Kosova sot do të kishte kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike.

Sadiku është pajtuar se përgjegjësinë kryesore për gjendjen aktuale energjetike e mban Lëvizja Vetëvendosje, por ka theksuar se edhe partitë e tjera kanë përgjegjësi për situatën.

Ai ka thënë se e ardhmja energjetike e Kosovës është më e rëndësishme sesa vazhdimi i përplasjes politike për fajtorët e së kaluarës.

Megjithatë, Hoti i është kundërpërgjigjur duke e pyetur Sadikun nëse edhe opozita duhet të mbajë përgjegjësi për anulimin e projekteve nga Qeveria aktuale.

“E paskemi edhe ne faj pse ky i ka anuluar projektet, e ka gjashtë vjet që nuk bën asgjë?! Për Bilfinger, ke rënë pre e propagandës së kuqe”, ka shkruar Hoti në përgjigjen e tij.

Pas këtij shkëmbimi, Sadiku e ka ftuar Hotin për një drekë gjatë javës, në mënyrë që t'ia sqarojë çështjet.

“Unë e thashë qartë se mund të jem gabim dhe di të kërkoj falje kur gaboj. Por një gjë është e sigurt: përgjegjësisë sime nuk i iki”, ka shkruar Sadiku./Telegrafi/