SHBA-ja vlerëson se Irani ka ende deri në 2 mijë e 500 raketa, pavarësisht sulmeve

Irani ka ende në arsenalin e tij nga 1 mijë e 500 deri në 2 mijë e 500 raketa, pavarësisht sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj kapaciteteve ushtarake dhe objekteve të prodhimit të tyre, vlerëson komuniteti amerikan i inteligjencës, raportoi të shtunën The Wall Street Journal.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ky vlerësim ka shkallë të ulët besueshmërie, për shkak të vështirësive në përcaktimin e numrit të saktë të raketave që Irani i ka të gatshme për përdorim ose në rezervë. Megjithatë, ata vlerësojnë se Teherani vazhdon të ketë një arsenal të konsiderueshëm, që mund të përdoret kundër objektivave amerikane dhe aleatëve të tyre në rast të rifillimit të një lufte të gjithanshme.

Pavarësisht dëmtimit të objekteve të prodhimit të raketave nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, Irani ka vazhduar rindërtimin e arsenalit, megjithëse me ritëm më të ngadaltë se para luftës. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo po bëhet kryesisht duke përdorur komponentët e grumbulluar më herët. Përveç raketave, Teherani disponon edhe një numër të madh dronësh dhe raketash me rreze të shkurtër veprimi.

Këto vlerësime bien ndesh me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarëve të administratës së tij, të cilët kanë pretenduar se kapacitetet ushtarake iraniane janë shkatërruar.

Rindërtimi i arsenalit iranian është bërë gjithashtu pjesë e diskutimeve brenda administratës Trump për mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake, në koordinim me Izraelin.

Edhe zyrtarët ushtarakë izraelitë vlerësojnë se Irani ka më shumë se 1 mijë e 500 raketa balistike, ndonëse shifrat ndryshojnë në varësi të burimeve dhe vështirësive për të përcaktuar sasinë e saktë.

Simone Ledeen, ish-zëvendëssekretare e Mbrojtjes për Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë të Trumpit, ka thënë se edhe vlerësimi më i ulët, prej 1 mijë e 500 raketash, do të nënkuptonte se Irani ka rikuperuar më shumë se gjysmën e arsenalit që kishte para luftës.

Ndërkohë, Irani ka përmirësuar edhe efikasitetin e sulmeve të tij ndaj objektivave në Lindjen e Mesme, duke përdorur të dhëna më të avancuara të inteligjencës dhe shënjestrimit, përfshirë ndihmën nga aleatë si Rusia. Gjithashtu, ka përshtatur taktikat duke kombinuar përdorimin e raketave me dronët.

Bilal Saab, drejtues i lartë në kompaninë amerikane të analizave gjeopolitike Trends US, ka theksuar se rëndësi nuk ka vetëm madhësia e arsenalit iranian, por edhe mënyra se si ai përdoret.

Ndërkaq, aleatët amerikanë në Gjirin Persik i kanë kërkuar administratës Trump të mos rikthehet në luftë, nga frika se Irani mund t’i shënjestrojë me raketa dhe dronë në shenjë hakmarrjeje.

Presidenti Trump, për momentin, ka zgjedhur të vazhdojë presionin ekonomik ndaj Teheranit përmes bllokadës dhe sanksioneve, në vend të urdhërimit të sulmeve të gjera ushtarake.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po vazhdon të kërkojë rifillimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Në anën tjetër, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte deklaruar të martën se baza industriale e mbrojtjes së Iranit ishte shkatërruar, duke pretenduar gjithashtu se më shumë se 80 për qind e bazës industriale bërthamore të vendit ishte dëmtuar.

“Me çdo matje kemi arritur një fitore historike ushtarake”, kishte deklaruar Hegseth.

Të fundit nga rubrika