Ajo që ndodhi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste ngre pikëpyetje jo vetëm politike, por edhe statutore.

Edi Rama kërkoi përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Por kërkesa e tij nuk u hodh në votim. Gjatë diskutimeve pati kundërshtime dhe Asambleja nuk mori asnjë vendim përmes votës.

Kjo është çështja e parë. Si mund të konsiderohet i marrë një vendim për përjashtimin e dy anëtarëve, kur organi që duhej të shprehej për kërkesën nuk votoi?

Ka edhe një problem të dytë, që e bën situatën edhe më paradoksale.

Pas mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi deklaroi se Elisa Spiropali ishte anëtare e Partisë Socialiste, duke lënë tē kuptohej se nuk ishte vendosur për përjashtimin. Më pas, përmes një statusi në Facebook, korrigjoi deklaratën, dhe tha se Spiropali dhe Ndreca përjashtoheshin nga forumet e partisë, por jo nga anëtarësia në PS.

Mirëpo, edhe ky sqarim krijon dy probleme.

Së pari, Plarent Ndreca nuk rezulton të jetë anëtar i ndonjë forumi drejtues të PS-së. Atëherë, nga cili forum po përjashtohet?

Si mund të përjashtosh dikë nga një strukturë ku nuk është anëtar?

Ndërsa për Elisa Spiropalin çështja është edhe më komplekse. Sipas statutit të PS-së, deputetët socialistë janë anëtarë ex officio të Asamblesë Kombëtare. Pra, anëtarësia e saj në këtë organ buron nga statuti.

Atëherë, si mund të hiqet kjo e drejtë që ia njeh statuti?

Pra kemi një situatë të pazakontë: kryetari kërkon përjashtimin, Asambleja nuk voton, kërkesa kundërshtohet dhe Sekretari i Përgjithshëm shpall më pas  përjashtimin nga forumet.

Nëse statuti nuk përcakton më kufijtë e vendimmarrjes dhe Asambleja nuk ka më nevojë të votojë për vendimet që i kërkon kryetari, atëherë cili është roli i saj?

Dhe, mbi të gjitha, çfarë vlere ka statuti në Partinë Socialiste?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb