Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ku viktimat kanë përjetuar dhunë fizike e psikologjike, ndërsa disa nga të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, raporton Ekonomia Online.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet janë regjistruar në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë dhe Malishevë.
Njëri prej rasteve më shqetësuese është raportuar në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj për sulm fizik, ndërsa i njëjti dyshohet se i ka lënë në rrugë pa përkujdesje edhe tre fëmijët e tyre të mitur.
Gruaja dhe fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në kërkim të policisë.
Në Podujevë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, katër fishekë dhe një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Prishtinë është arrestuar edhe një person tjetër, i dyshuar për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj prindit të tij. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Gjakovë.
Në rastin e parë, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga djali i saj. Ajo ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër, një burrë është arrestuar nën dyshimin për dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Po në Gjakovë, një burrë ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga gruaja me të cilën bashkëjeton. E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar, ndërsa viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës emergjent.
Në rastin e katërt, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është regjistruar në Malishevë, ku një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka fyer dhe kanosur, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Sipas Policisë së Kosovës, nga tetë rastet e raportuara, shtatë persona janë arrestuar. Katër prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre janë liruar në procedurë të rregullt. Një i dyshuar tjetër vazhdon të jetë në kërkim të policisë.