Arritje historike për SpaceX, Mechazilla kap për herë të parë anijen Starship gjatë kthimit nga hapësira
Rusia po ndërmerr një nga projektet më ambicioze në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, me synimin për të zgjatur ndjeshëm jetëgjatësinë e njeriut dhe, në një fazë të mëvonshme, për të kapërcyer kufijtë biologjikë të plakjes.
Për këtë qëllim, Moska ka parashikuar investime prej më shumë se 2 trilionë rublash, duke financuar kërkime për rigjenerimin e qelizave, zhvillimin e trajtimeve kundër plakjes dhe krijimin e organeve njerëzore në laborator.
Në krye të kësaj nisme është Maria Vorontsova, vajza e madhe e presidentit rus Vladimir Putin, e cila është gjithashtu mjeke endokrinologe. Ajo ka prezantuar një strategji me dy faza, ku objektivi fillestar është rritja e jetëgjatësisë në 85 deri në 90 vjet, ndërsa synimi afatgjatë është tejkalimi i kufizimeve natyrore të organizmit njerëzor.
Gjatë një forumi të zhvilluar së fundmi në Shkollën e Menaxhimit Skolkovo në Moskë, Vorontsova foli për mundësinë e një përparimi shkencor që do të lejonte, siç u shpreh ajo, “mashtrimin e Zotit ose natyrës”.
Megjithatë, ambicia e Kremlinit për zgjatjen e jetës njerëzore vjen në një moment paradoksal për Rusinë, e cila po përballet me humbje të mëdha njerëzore për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas forcave të armatosura ukrainase, vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti më shumë se 54 mijë ushtarë rusë u vranë ose u plagosën.
Plani i vajzës së Putinit për të zgjatur jetën njerëzore
Maria Vorontsova është një nga figurat kryesore të programeve ruse për kërkimin gjenetik dhe jetëgjatësinë. Ajo drejton Institutin e Kërkimeve dhe Edukimit Mjekësor në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe është përfshirë në projekte shkencore të financuara nga shteti rus.
Edhe pse Vladimir Putin nuk e ka identifikuar publikisht me emër si vajzën e tij, Vorontsova ka një rol të rëndësishëm në këtë sektor. Në vitin 2022, pas pushtimit të Ukrainës, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj saj, duke e cilësuar si drejtuese të programeve të kërkimit gjenetik të financuara nga Kremlini.
Në vitin 2025, ajo përfitoi gjithashtu një grant prej 30 milionë rublash nga Fondacioni Rus i Shkencës, për krijimin e një laboratori që do të studiojë rigjenerimin e qelizave dhe proceset e plakjes.
Strategjia e prezantuar prej saj parashikon fillimisht shfrytëzimin e potencialit natyror të organizmit për të arritur një jetëgjatësi prej 85 deri në 90 vjet. Për këtë, ajo thekson rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe krijimit të zakoneve të mira që në fëmijëri.
Faza e dytë është shumë më ambicioze dhe synon ndërhyrjen në proceset biologjike që përcaktojnë plakjen. Sipas Vorontsovës, përparimi në këtë drejtim mund të bëhet realitet në një ose dy dekadat e ardhshme, ndonëse deri tani shkenca ka ende kufizime të konsiderueshme.
Një prej pengesave kryesore është fakti se plakja nuk njihet zyrtarisht si sëmundje, çka e vështirëson zhvillimin dhe miratimin e barnave që synojnë ta trajtojnë atë.
Mbi 2 trilionë rubla për vaksinën kundër plakjes
Projekti i jetëgjatësisë është pjesë e një strategjie më të gjerë të promovuar nga vetë Vladimir Putin.
Në shkurt të vitit 2024, presidenti rus njoftoi programin kombëtar “Teknologjitë e Reja për Ruajtjen e Shëndetit”, i cili nisi zbatimin në vitin 2025, së bashku me një tjetër nismë të quajtur “Jetë e Gjatë dhe Aktive”.
Për të dy programet, Rusia ka parashikuar investime që kalojnë 2 trilionë rubla.
Një pjesë e fondeve do të përdoret për kërkimet gjenetike dhe zhvillimin e një trajtimi eksperimental që është cilësuar si “vaksinë kundër plakjes”. Sipas zëvendësministrit rus të Shkencës dhe Arsimit të Lartë, Denis Sekirinsky, kjo qasje synon të bllokojë një gjen të lidhur me ndryshimet qelizore që shfaqen gjatë procesit të plakjes.
Ndërkohë, objektivi zyrtar i autoriteteve ruse është që përmes këtyre programeve të shpëtohen 175 mijë jetë deri në vitin 2030.
Organe njerëzore në derra miniaturë dhe bioprintim 3D
Përveç trajtimeve kundër plakjes, shkencëtarët rusë po eksperimentojnë edhe me teknologji të avancuara për krijimin e indeve dhe organeve njerëzore.
Sipas një hetimi të publikuar nga The Wall Street Journal në maj, studiuesit po punojnë për përdorimin e bioprintimit 3D të indeve të gjalla, si dhe për mundësinë e rritjes së organeve njerëzore brenda derrave miniaturë.
Shkencëtarët pretendojnë se kanë arritur të printojnë kërc njerëzor dhe një gjëndër tiroide miu. Synimi përfundimtar është që kjo teknologji të mundësojë zëvendësimin e organeve njerëzore deri në vitin 2030.
Edhe Kremlini ka konfirmuar për gazetën amerikane përfshirjen e disa institucioneve kërkimore në programe shkencore të mbështetura nga shteti.
Në të njëjtën linjë, zëvendëskryeministrja ruse Tatyana Golikova deklaroi në vitin 2025 se vendi synon të nisë prodhimin e një ilaçi kundër plakjes në periudhën 2028-2030.
Paradoksi i jetëgjatësisë në një kohë kur Rusia humbet mijëra ushtarë në Ukrainë
Ambicia e Moskës për të shpëtuar 175 mijë jetë deri në vitin 2030 bie në kontrast me humbjet njerëzore të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.
Në vitin 2024, media e pavarur ruse Meduza kishte krahasuar objektivin e qeverisë me vlerësimet e asaj kohe, sipas të cilave më shumë se 120 mijë ushtarë rusë ishin vrarë në luftë.
Që atëherë, bilanci është rënduar ndjeshëm. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, në fillim të shtatorit humbjet ruse në luftë kishin kaluar gjysmë milioni persona, duke përfshirë të vrarë dhe të plagosur.
Ndërkohë, të dhënat e agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, tregojnë për më shumë se 450 mijë vdekje të lidhura me luftën, sipas vlerësimit më të gjerë të cituar nga botimi.
Pavarësisht kësaj situate, Putin ka vendosur objektiva konkrete për rritjen e jetëgjatësisë mesatare në vend. Synimi është që ajo të arrijë në 78 vjet deri në vitin 2030 dhe në 81 vjet deri në vitin 2036, nga 74.2 vjet që raportohet aktualisht.
Megjithatë, diferencat mes burrave dhe grave mbeten të mëdha. Jetëgjatësia e burrave rusë është rreth 68 vjet, dukshëm më e ulët se në Shtetet e Bashkuara dhe në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore.
Putin dhe Xi Jinping diskutuan për pavdekësinë
Interesi i presidentit rus për zgjatjen e jetës nuk është i ri. Sipas The Wall Street Journal, Putin ka shfaqur prej vitesh interes për trajtimet kundër plakjes dhe teknologjitë e rigjenerimit të organizmit.
Një prej episodeve më të përfolura u regjistrua në shtator të vitit 2025, gjatë një parade ushtarake në Pekin, kur një mikrofon i hapur kapi një bisedë mes Putinit dhe presidentit kinez Xi Jinping për mundësinë e zgjatjes së jetës njerëzore.
Xi komentoi se në të kaluarën njerëzit rrallë arrinin moshën 70-vjeçare, ndërsa sot një person në atë moshë konsiderohet ende i ri. Nga ana e tij, Putin foli për përparimin e bioteknologjisë dhe mundësinë e zëvendësimit të përsëritur të organeve njerëzore, duke përmendur edhe mundësinë e arritjes së pavdekësisë.
Presidenti kinez shtoi se njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjet gjatë këtij shekulli.
Fizikani që qëndron pas ambicieve të Kremlinit
Një tjetër figurë e rëndësishme e programit rus është fizikani Mikhail Kovalchuk, drejtues i Institutit Kurchatov, një prej qendrave kryesore kërkimore në vend.
Kovalchuk është vëllai i bankierit Yuri Kovalchuk, i konsideruar si një prej aleatëve më të afërt të Putinit. Ai mbikëqyr gjithashtu një program federal për zhvillimin e kërkimeve gjenetike, ku është e përfshirë edhe Maria Vorontsova.
Fizikani beson se shkenca do të mundësojë në të ardhmen riparimin dhe zëvendësimin e pjesëve të trupit të njeriut. Ai ka deklaruar se, megjithëse është e vështirë të flitet për pavdekësinë, aftësitë shkencore për të riparuar organizmin do të përmirësohen ndjeshëm.
Sipas një burimi pranë Kremlinit, të cituar nga Meduza në vitin 2024, nisma për zgjatjen e jetës lidhet ngushtë me interesin personal të Kovalchuk për jetën e përjetshme.
Skepticizëm në komunitetin shkencor rus
Pavarësisht financimeve të mëdha dhe ambicieve të Kremlinit, projekti ka ngjallur skepticizëm në mesin e studiuesve dhe mjekëve rusë.
Disa prej tyre kanë vënë në pikëpyetje bazën shkencore të objektivave të shpallura, duke argumentuar se kërkimet e promovuara nga bashkëpunëtorët e Putinit nuk kanë prodhuar deri më tani një numër të konsiderueshëm publikimesh të rishikuara nga ekspertë në revistat kryesore shkencore ndërkombëtare.
Alexander Ostrovsky, një studiues rus i cili u largua nga vendi pas pushtimit të Ukrainës, i tha The Wall Street Journal se pa publikime shkencore nuk mund të flitet për rezultate të mirëfillta.
Ai ngriti gjithashtu dyshime se disa prej studiuesve mund t’i paraqesin Putinit pikërisht ato premtime që presidenti dëshiron të dëgjojë, me qëllim sigurimin e fondeve për projektet e tyre.
Kështu, ndërsa Rusia synon të investojë miliarda për të zgjatur jetën njerëzore dhe për të sfiduar plakjen, mbetet për t’u parë nëse këto ambicie do të shndërrohen në arritje konkrete shkencore apo do të mbeten premtime të mëdha për një të ardhme ende të pasigurt.
Top Channel