Aktualitet

Vidhnin makina për krime, vijon operacioni “Hija e Natës”!

Policia e Fierit finalizoi fazën e dytë të operacionit të koduar “Hija e Natës”, duke zbuluar dhe sekuestruar tre automjete të vjedhura në zona të ndryshme të vendit. Makinat e gjetura në Fushë-Mamurras, Kurbin e në Borizanë të Krujës dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses faza e dytë e operacionit policor të koduar “Hija e Natës”.

Gjenden dhe sekuestrohen 3 automjete të vjedhura, si dhe sende të tjera me interes për hetimin.

Gjatë fazës së parë të operacionit u zbardhën 5 raste të vjedhjes së automjeteve, u vu në pranga njëri prej autorëve dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur në ngjarje kriminale.

Në vijim të një pune intensive hetimore, të ndjekur pa ndërprerje dhe të shoqëruar me veprime të koordinuara operacionale, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Hija e Natës”.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në terren, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 3 automjeteve të vjedhura.

Nga hetimet rezulton se 2 prej automjeteve janë vjedhur më datë 13.11.2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë më datë 13.09.2026, në Divjakë.

Automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin dhe në Borizanë, Krujë, ku dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.

Gjatë veprimeve policore u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu sende të tjera me interes për hetimin, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.

Strukturat e DVP Fier vijojnë intensivisht hetimet dhe veprimet operacionale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim.