Kampioni olimpik Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas shpërthimit të skandalit të dopingut ku është përfshirë vëllai i tij, Odise Dhima.
Megjithatë, dorëheqja e tij nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Yiannis Vroutsis, sipas mediave greke. Vëllai i kampionit olimpik, 58-vjeçari Odise Dhima, u arrestua mëngjesin e 12 nëntorit në një zonë të Atikës, nën dyshimin se, në cilësinë e trajnerit të peshëngritjes, furnizonte sportistë me substanca dopingu që prej prillit të vitit 2024. Hetimet disa mujore, të zhvilluara në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave, zbuluan edhe një rast të administrimit të një substance të ndaluar ndaj një sportisti të mitur gjatë një gare.
Analizat e sportistit kishin evidentuar praninë e një substance të përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (UADA), ndërsa për trajnerin dhe sportistin ishin vendosur më herët masa pezullimi. Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula me preparate të paligjshme, 17 karta sportistësh, shënime personale, një telefon celular dhe 15 mijë euro.
Sipas autoriteteve, substancat e sekuestruara nuk janë të miratuara për tregun grek dhe konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e përdoruesve, ndërsa Odise Dhima është dërguar përpara autoriteteve gjyqësore, nën hetim për shkelje të legjislacionit për sportin dhe barnat e dëmshme.












