Policia ka gjetur tre automjete të vjedhura në Mallakastër dhe Divjakë, të cilat ishin fshehur në zona të Krujës dhe Kurbinit. Sipas hetimeve, makinat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve kriminale.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në kuadër të fazës së dytë të operacionit të koduar “Hija e Natës”. Dy prej automjeteve ishin vjedhur më 13 nëntor në Mallakastër, ndërsa i treti ishte marrë më 13 shtator në Divjakë.
Pas kontrolleve në terren, automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë të Krujës. Ato u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me sende të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.
Kjo është faza e dytë e operacionit “Hija e Natës”. Gjatë fazës së parë, policia arriti të zbardhë pesë raste të vjedhjes së automjeteve, arrestoi një person dhe shpalli në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për vjedhjen e makinave me qëllim përdorimin e tyre në ngjarje kriminale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.


