“Guns 3”, arrestohet 17 vjeçari nga Vaqarri, lëvizte me armë dhe 140 fishekë me vete, policia: I kishte pa leje

Policia e Tiranës ka arrestuar një 17 vjeçar.
Në një njoftim për mediat, blutë bëjnë me dije se i mituri lëvizte me një armë zjarri të dyshuar pushkë, gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.
Arrestimi i tij u bë nga oficerët e komisariatit të nr.6 në kuadër të operacionit “Guns 3”.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje.
Lëvizte në rrugën e fshatit “Allgjatë”, i armatosur me një pushkë dhe 140 fishekë luftarakë, arrestohet 17-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin policor të koduar “Guns 3”, në kuadër të të cilit u ndërhy për të ndaluar shtetasin e dyshuar, në rrugën e fshatit “Allgjatë”.
Konkretisht, u vu në pranga shtetasi i mitur 17 vjeç, banues në Vaqarr, i cili u kap në flagrancë duke lëvizur me një armë zjarri të dyshuar pushkë, gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




