Udhëtimet ajrore në Shtetet e Bashkuara nuk pritet t’i rikthehen plotësisht normalitetit deri në orët e vona të së dielës.
Kështu deklaroi drejtuesi i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, ndërsa sistemi i aviacionit po rimëkëmbet gradualisht pas ndërprerjes kombëtare të fluturimeve, të shkaktuar nga probleme teknike gjatë punimeve të mirëmbajtjes.
Sipas të dhënave të faqes FlightAware, deri në orën 21:35 të së shtunës, sipas orës lokale amerikane, kompanitë ajrore kishin anuluar më shumë se 6 400 fluturime dhe kishin regjistruar mbi 8 000 vonesa, përcjell Reuters.
Këto shifra i shtohen bilancit të së premtes, kur u anuluan rreth 9 200 fluturime dhe 7 500 të tjera u vonuan, pasi FAA urdhëroi ndalimin kombëtar të nisjeve për shkak të problemeve në komunikimin e kontrollit të trafikut ajror. Ndërkohë, FlightAware raportoi se 875 fluturime të planifikuara për të dielën ishin anuluar që më parë.
Bedford deklaroi se pret që operacionet e kompanive ajrore të rikthehen kryesisht në normalitet deri të dielën në mbrëmje. Ai kërkoi gjithashtu ndjesë për situatën, duke theksuar se sistemi mbetet i qëndrueshëm.
Defekti në një pajisje rrjeti shkaktoi ndërprerjen
Të premten, FAA urdhëroi ndalimin kombëtar të fluturimeve, duke pezulluar për gati pesë orë pothuajse të gjitha nisjet e avionëve. Kjo ishte ndërprerja më e gjatë kombëtare e transportit ajror që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe një prej ditëve më problematike të udhëtimeve në historinë e SHBA-së.
Situata bëri që Shtëpia e Bardhë të thërriste një mbledhje urgjente në dhomën e situatave, ndërsa agjencitë federale nisën hetimet për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një sulm kibernetik.
Megjithatë, sipas sekretarit të Transportit, Sean Duffy, problemi u gjurmua te instalimi i të paktën një ruteri të ri nga kompania kontraktore e FAA-së, L3Harris, në një objekt të largët.
“Po përpiqemi të përcaktojmë nëse kemi pasur paaftësi, pra nëse bëhet fjalë për një gabim të përdoruesit apo të instaluesit nga L3Harris, apo nëse ata kanë instaluar një ruter me defekt. Ende nuk e kemi përcaktuar se cili ishte problemi”, deklaroi Duffy gjatë një konference për shtyp.
Sindikata e Specialistëve të Sigurisë së Aviacionit, e cila përfaqëson punonjësit e sigurisë së FAA-së, tha se problemi lidhej me dy rutera të përditësuar të premten. Një zyrtar i tha Reuters se pajisjet besohet të kenë qenë në Arkansas dhe Teksas.
Një përfaqësues i FAA-së deklaroi se agjencia kishte kryer një vlerësim sigurie përpara punimeve. Sindikata, nga ana tjetër, bëri të ditur se teknikët e përfaqësuar prej saj nuk ishin përfshirë në përditësimet që çuan në pezullimin e fluturimeve.
Kompania L3Harris deklaroi se e merr seriozisht çështjen dhe po mbështet FAA-në në hetimin e saj. Pas mbylljes së tregtimit të së premtes, aksionet e kompanisë shënuan një rënie prej rreth 4% në tregtimin pas orarit zyrtar.
Qendrat e komunikimit u mbingarkuan
Sipas Duffy-t, problemet nisën të premten pasdite, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror konstatuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarit dhe të komunikimit.
Instalimi i ruterit shkaktoi mbingarkesë të të dhënave në qendrat e tjera të komunikimit, duke ndikuar në funksionimin e sistemit.
“Kishim më shumë se 1 000 përpjekje për lidhje çdo katër deri në pesë sekonda. Kjo shkaktoi probleme në komunikimin tonë me avionët, si dhe disa ndërprerje në funksionimin e radarit”, shtoi Duffy.
Problemi preku komunikimet në 17 nga 22 qendrat e FAA-së që menaxhojnë avionët gjatë fazës së fluturimit në lartësi.
Bedford shpjegoi se vendimi për ndalimin kombëtar të fluturimeve u mor për të shmangur rrezikun e humbjes së plotë të komunikimit në ndonjërën prej qendrave.
“Asnjë objekt nuk u ndërpre plotësisht. Asgjë nuk u humb tërësisht”, deklaroi ai.
FAA bëri të ditur se po kryen testime të tjera në bashkëpunim me L3Harris, për të verifikuar nëse ekzistojnë rreziqe shtesë.
Mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte
Edhe pse FAA e hoqi ndalimin e fluturimeve të premten në mbrëmje, pasojat për udhëtarët vijuan. Dhjetëra mijëra persona mbetën të bllokuar në aeroporte, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqeshin të riorganizonin ekuipazhet dhe personelin për të rifilluar operacionet.
Delta Air Lines, United Airlines dhe American Airlines anuluan secila rreth 25% të fluturimeve të tyre të shtunën, ndërsa JetBlue anuloi afro 45%.
Kompanitë ajrore kanë ofruar mundësinë që pasagjerët të ndryshojnë datën e udhëtimit dhe të rezervojnë fluturime të tjera pa pagesë shtesë.
Ndërprerja shkaktoi gjithashtu probleme për disa skuadra universitare të futbollit amerikan, të cilat mbetën të bllokuara të premten, përpara ndeshjeve të planifikuara për të shtunën.
Duffy kërkon 50 miliardë dollarë për modernizimin e sistemit
Ndërprerja e fundit konsiderohet një tjetër shenjë e problemeve të thella në sistemin amerikan të kontrollit të trafikut ajror, i cili përballet me teknologji të vjetruar, vështirësi në pajisjet dhe komunikimet teknike, si dhe mungesë prej disa mijëra kontrollorësh.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, kërkoi të premten 50 miliardë dollarë financim për modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror, duke rritur kërkesën e mëparshme prej 30 miliardë dollarësh. Kongresi kishte miratuar 12.5 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, deklaroi të shtunën për Fox News se mbështet miratimin e fondeve shtesë për aviacionin gjatë këtij viti.
Republikanët e Johnson-it do të vijojnë të kontrollojnë Kongresin deri vitin e ardhshëm, kur demokratët do të marrin drejtimin pas fitoreve në zgjedhjet afatmesme të 3 nëntorit.
Ndërkohë, kongresmenët demokratë Rick Larsen dhe Andre Carson, të cilët pritet të drejtojnë vitin e ardhshëm Komitetin e Transportit dhe Infrastrukturës të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nënkomitetin për aviacionin, deklaruan në një reagim të përbashkët se komisionet e tyre do ta mbajnë administratën përgjegjëse për atë që ndodhi.
Ata theksuan se synojnë të sigurojnë që një situatë e tillë kaotike të mos përsëritet.
Sipas Larsen dhe Carson, megjithëse Departamenti i Transportit ka marrë 12.5 miliardë dollarë vitin e kaluar, deri tani ka dhënë kontrata me vlerë 4.3 miliardë dollarë, por ka shpenzuar vetëm 1 miliard dollarë.
