Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi u kap duke lëvizur i armatosur.
Sipas policisë, adoleshenti u ndalua në fshatin Allgjatë, teksa mbante një pushkë dhe 140 plumba. Arma rezultoi se ishte pa leje. Policia ka publikuar dhe momenti ne arrestimit të të miturit, i cili shihet i shtrirë në tokë me pushkën pranë tij.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje. Lëvizte në rrugën e fshatit “Allgjatë”, i armatosur me një pushkë dhe 140 fishekë luftarakë, arrestohet 17-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin policor të koduar “Guns 3”, në kuadër të të cilit u ndërhy për të ndaluar shtetasin e dyshuar, në rrugën e fshatit “Allgjatë”.
Konkretisht, u vu në pranga shtetasi i mitur 17 vjeç, banues në Vaqarr, i cili u kap në flagrancë duke lëvizur me një armë zjarri të dyshuar pushkë, gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.









