'Në Librari' vjen me 3 tituj të rinj: “Oxhaku i Këlcyrës” nga Mero Baze, “Intrigë ndërkombëtare” të Antonio Caiazza dhe “Protesta, shënimet e një gazetari” nga Thoma Gëllçi
“Oxhaku i Këlcyrës”/ 5 shekuj histori në librin e Mero Bazes
Publicisti dhe gazetari Mero Baze vjen me librin e ri “Oxhaku i Këlcyrës”, një vepër që rindërton historinë pesëshekullore të një prej familjeve më të njohura të Jugut të Shqipërisë. Përmes historisë së Këlcyrajve, autori ndjek jo vetëm vazhdimësinë e një familjeje në drejtimin e Këlcyrës, por edhe aleancat, martesat, konfliktet dhe zhvillimet politike që shoqëruan historinë shqiptare nga periudha e principatave deri në formimin e shtetit shqiptar.
Baze thekson se familja Këlcyra përbën një rast të veçantë për jetëgjatësinë e saj në pushtetin lokal, ndërsa rrëfen se interesi për këtë histori ka nisur që në fëmijëri, për shkak të origjinës së tij nga ajo zonë.
“Është një familje unike në Shqipëri, e cila për 500 vite ka jetuar në të njëjtin vend dhe ka qenë sundimtare e Këlcyrës. Ka familje të mëdha shqiptare që kanë jetuar 100 apo 200 vjet në pushtet, por një familje që ka filluar që në kohën e principatave dhe ka vazhduar deri në vitin 1944 është një rast i veçantë. Kanë qenë pothuajse të panjohur dhe ky është libri i parë që bëhet për ta”, shprehet Baze.
Për të dokumentuar këtë histori, autori është mbështetur në një kërkim të gjatë arkivor, veçanërisht në arkivat osmane të Stambollit, ku ka konsultuar qindra dokumente për familjen. Në kërkimet e tij është ndihmuar edhe nga studiuesi i periudhës osmane Ermal Nurja. Megjithatë, Baze sqaron se libri nuk pretendon të jetë një studim i mirëfilltë historik, por një investigim mbi historinë e familjes, duke ballafaquar dokumentet arkivore me dëshmitë e udhëtarëve dhe traditën familjare.
Një prej çështjeve më interesante lidhet me prejardhjen e Këlcyrajve. Autori ndalet te lidhja e mundshme me Muzakajt dhe te figurat që administruan Këlcyrën gjatë periudhës osmane, por pranon se për shekujt e parë nuk ekziston siguri e plotë mbi vazhdimësinë biologjike të familjes.
“Nuk është se kemi një saktësi 100 për qind për dy shekujt e parë, se kush ishin gjithmonë ata që drejtonin Këlcyrën. Ka një përzierje mes pushtetit osman dhe sundimtarëve lokalë. Ajo që është e sigurt është se në krye të Këlcyrës, në periudha të ndryshme, ka qenë gjithmonë dikush nga kjo familje. Pra, nuk mund të themi me siguri se kemi të njëjtin gjak për 500 vjet, por është e sigurt që kemi të njëjtën familje sunduese”, shprehet Baze.
Një kapitull i rëndësishëm i librit i kushtohet marrëdhënies mes Këlcyrajve dhe familjes së Ali Pashë Tepelenës. Sipas kërkimit të Bazes, lidhjet mes dy familjeve kanë nisur shumë më herët se konsolidimi i pushtetit të Ali Pashës. Martesat me Këlcyrajt ndihmuan edhe në ngritjen e statusit të familjes Tepelena, ndërsa më vonë marrëdhënia u shndërrua në një histori konfliktesh dhe përplasjesh të përgjakshme.
Dokumentet osmane ndihmojnë në saktësimin e një prej episodeve më të diskutuara: fatin e dy bejlerëve të Këlcyrës, Muratit dhe Veliut, të vrarë me urdhër të Ali Pashës në Janinë. Ndërsa dëshmitë e udhëtarëve të huaj nuk ishin të njëjta për identitetin e burrit të mbesës së pashait, Baze thotë se dokumentet kanë ndihmuar në zgjidhjen e kësaj paqartësie.
“Zbulimi që bën libri me dokumente nga arkivat osmane është që mbesa e Ali Pashës ishte e martuar me Muhamed Beun, i cili ishte djali i Veli Beut, një prej bejlerëve të vrarë në Janinë. Kjo del nga dokumentet që lidhen me Hysen Beun, i cili në vitin 1875 kërkon rikthimin e pronave të gjyshit të tij, Veli Beut. Kështu dokumentohet për herë të parë kjo lidhje”, vijon Baze.
Në historinë e Këlcyrajve shfaqen edhe lidhjet me familjet Vrioni, Vlora, Frashëri, Konica dhe Libohova. Martesat mes këtyre familjeve nuk ishin thjesht marrëdhënie farefisnore, por krijonin rrjete ndikimi dhe aleanca që përcaktonin edhe zhvillimet politike të kohës.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet grave të familjes, përmes të cilave u ruajtën lidhjet, trashëgimia dhe vazhdimësia e oxhakut.
Por një nga kontrastet më interesante të kësaj historie është Ali Këlcyra. Ndonëse trashëgimtar biologjik i oxhakut, ai u formua si një politikan liberal, i majtë, socialdemokrat dhe proevropian, duke u distancuar nga tradita konservatore e familjes dhe nga privilegjet e trashëguara të bejlerëve.
“Ali Këlcyra nuk është personi me të cilin mund të identifikohet oxhaku i Këlcyrajve. Përkundrazi, ai është kundërshtari i oxhakut nga pikëpamja politike. Ishte një liberal i majtë, socialdemokrat dhe evropian. Propozimi i tij i parë politik ishte të hiqte titullin Bej, si për veten, ashtu edhe për të gjithë të tjerët që e mbanin”, thotë Baze.
Libri ndalet edhe te kontributi i brezave të fundit të familjes në lëvizjen kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar. Baze veçon faktin se, ndonëse Këlcyrajt kishin qenë për shekuj pjesë e strukturave të pushtetit osman, disa prej përfaqësuesve të tyre u angazhuan në lëvizjet për pavarësi dhe në mbështetje të shtetit të ri shqiptar.
“Ajo që më ka intriguar është se si një familje që sundoi për 500 vjet në emër të Perandorisë Osmane u bë po aq protagoniste në krijimin e shtetit shqiptar. Muhamed Beu dhe Veli Beu kanë qenë të përfshirë në lëvizjet politike për Shqipërinë, ndërsa më pas vjen edhe kontributi i Ali Këlcyrës në Kongresin e Lushnjës, Luftën e Vlorës dhe parlamentin shqiptar”, shprehet autori.
Një tjetër element që e bën librin të veçantë është edhe dokumentimi i sarajeve të Këlcyrajve dhe jetës së familjes përmes dëshmive të udhëtarëve të huaj që i vizituan ato në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Historia e banesës familjare lidhet me kalanë e vjetër të Këlcyrës, ku familja kishte jetuar fillimisht, dhe me sarajet që u zgjeruan më vonë, pas rikthimit të familjes nga internimi në Stamboll.
Historia e oxhakut mbyllet me dy gra, Shegë dhe Hëna Këlcyra. Kjo e fundit, vajza e fundit e familjes, bëhet edhe personazhi të cilit Baze ia kushton librin, si një homazh për vazhdimësinë dhe kujtesën e një familjeje që ka lënë gjurmë në historinë e zonës.
“Oxhaku i Këlcyrës” është pjesa e parë e një projekti me tri pjesë. Dy vëllimet e ardhshme do t'i kushtohen Ali Këlcyrës, përmes një biografie të zgjeruar politike me titujt “Përndritja” dhe “Përbaltja”.
Përmes dokumenteve, dëshmive dhe historive të panjohura, Mero Baze sjell kështu jo vetëm portretin e një familjeje, por edhe një rrëfim mbi pesë shekuj të historisë shqiptare, ku pushteti, identiteti dhe ndryshimet politike ndërthuren në mënyrë të pandashme.
Një film i bazuar në romanin e Ismail Kadaresë, yje të kinematografisë europiane dhe një histori që për më shumë se katër dekada mbeti në hije.
Libri “Intrigë ndërkombëtare”, i gazetarit dhe shkrimtarit italian Antonio Caiazza, zbulon prapaskenat diplomatike që penguan xhirimin në Shqipëri të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vitin 1983.
Përmes dokumenteve të pabotuara, të zbuluara në arkivat diplomatike të Italisë, Francës dhe Shqipërisë, autori sjell një tjetër këndvështrim mbi një histori ku arti, politika dhe interesat shtetërore u përplasën në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Filmi, me regji të Luciano Tovolit dhe me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Marcello Mastroianni, Michel Piçoli, Anouk Aimée dhe Sergio Castellitto, u parapri nga rreth tre vjet përgatitje. Por, vetëm pak ditë para nisjes së xhirimeve, ekipi u dëbua nga Shqipëria.
Përgjegjësia iu atribuua për dekada regjimit komunist shqiptar. Hulumtimi i Caiazzës zbulon se pas këtij vendimi qëndronin edhe presionet e diplomacisë italiane, e shqetësuar për mënyrën se si filmi do të trajtonte pushtimin fashist të Shqipërisë.
“Por, në të vërtetë, faji ishte i palës italiane. Nuk ishte regjimi stalinist shqiptar ai që nuk e donte filmin, por një demokraci e madhe europiane si Italia”, thotë autori.
Sipas dokumenteve të zbuluara nga autori, Italia kërkonte të shmangte rihapjen e një kapitulli të ndjeshëm të historisë së saj: pushtimin fashist dhe sjelljen e ushtrisë italiane ndaj popullsisë civile. Ndërkohë, Shqipëria e izoluar përpiqej të ruante marrëdhëniet me Italinë dhe të krijonte mundësi për bashkëpunim ekonomik.
Pas dëbimit të ekipit, regjisori Luciano Tovoli nuk hoqi dorë nga projekti. Xhirimet u zhvendosën në Abruzzo të Italisë dhe filmi u realizua, larg vendit ku zhvillohej historia e romanit.
Dokumentet zbulojnë edhe përpjekjet e Ismail Kadaresë për të bindur autoritetet shqiptare që të mos e braktisnin projektin. Shkrimtari argumentonte se filmi mund të shërbente për t'u përcjellë spektatorëve të huaj një imazh pozitiv të Shqipërisë.
Përmes letërkëmbimeve dhe dokumenteve të kohës, libri sjell në vëmendje jo vetëm prapaskenat diplomatike, por edhe mënyrën se si shkrimtarët shqiptarë përpiqeshin të vepronin brenda kufizimeve politike dhe burokratike të regjimit.
“Libri nuk është roman. Gjithçka është e vërtetë dhe dokumentet janë botuar në libër. Megjithatë, mënyra se si këto dokumente janë ndërthurur dhe organizuar krijon një rrëfim që zbulon prapaskenat e kësaj historie”, vijon Caiazza.
Për të rindërtuar ngjarjet, Caiazza ka krahasuar dokumentet e arkivave diplomatike në Romë dhe Tiranë, duke i plotësuar ato me materiale nga Franca. Përputhja mes dokumenteve i ka mundësuar të sfidojë versionin e përcjellë për dekada mbi dështimin e xhirimeve në Shqipëri.
Përtej një filmi të penguar, libri trajton mënyrën se si shtetet përpiqen të kontrollojnë kujtesën historike dhe imazhin e tyre përballë botës. Në të rivjen një histori shqiptaro-italiane, e mbajtur për dekada nën hijen e diplomacies e që kthehet për të dëshmuar se pas ekranit dhe letërsisë fshihen shpesh beteja të padukshme politike, por edhe të vërteta që presin të zbulohen.
Gazetar në redaksinë e RAI-t në Trieste, Antonio Caiazza i ka kushtuar ndër vite vëmendje zhvillimeve ballkanike dhe historisë shqiptare.
Ai i ka kushtuar Shqipërisë një sërë emisionesh televizive, artikuj dhe dy libra: “Në det të hapur. Udhëtim në Shqipëri nga komunizmi në të ardhmen” (Viaggio nell’Albania dal comunismo al futuro, Instar Libri 2008), ndërsa romani “Nata e të humburve” (botuar nga TOENA në shqip) rrëfen spastrimin e përgjakshëm që goditi nomenklaturën e Tiranës në mesin e viteve ’70.
Kur politika kthehet në teatër dhe realiteti shoqëror ofron më shumë material për satirë sesa për humor, e qeshura bëhet një mënyrë për të thënë të vërteta të pakëndshme.
Këto të vërteta shpesh gjejnë udhën e tyre përmes protestës, ashtu siç ndodh edhe me librin e gazetarit dhe publicistit Thoma Gëllçi.
“Protesta, shënimet e një gazetari” është një vepër që e vendos satirën në shërbim të reflektimit qytetar dhe kritikës ndaj pushtetit.
Botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, libri ndërthur fejtonin, parodinë, pamfletin politik dhe esenë filozofike, duke krijuar një mozaik të realitetit shqiptar dhe kontradiktave të një tranzicioni që duket se nuk përfundon kurrë.
Në qendër të veprës qëndron “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje qytetare mbi 100-ditore, e cila bëhet pikënisje për të analizuar marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit, protestën si formë reagimi dhe përgjegjësinë që shoqëria ka për fatin e saj.
Me një stil ironik dhe personazhe të ndërtuara përmes groteskut, Thoma Gellçi vë në shënjestër mekanizmat e politikës shqiptare. Palloi i Pushtetit dhe Bufi i Kënetës janë dy nga figurat më përfaqësuese të kësaj bote satirike. Përmes tyre, autori ironizon rivalitetin mes kampeve politike, duke vënë në pikëpyetje dallimet mes kundërshtarëve kur bëhet fjalë për ruajtjen e pushtetit dhe kontrollin e jetës politike.
Por kritika e autorit shkon përtej figurave politike. Në faqet e “Protestës” shfaqet edhe Njeriu i Divanit, simboli i qytetarit që ankohet për korrupsionin, çmimet dhe padrejtësitë, por ngurron të dalë në shesh për të kërkuar ndryshim. Ndërsa personazhe të tjera, si Nesti Angoni dhe Diella, shërbejnë për të ironizuar burokracinë, manipulimin e statistikave dhe besimin e tepruar te zgjidhjet teknologjike.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i librit është përballja mes kulturës së protestës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pasivitetit qytetar në Shqipëri. Përmes shembujve historikë, si qëndresa e Rosa Parks, autori nënvizon rëndësinë e individit që vendos të mos pajtohet me padrejtësinë. Në këtë këndvështrim, protesta nuk paraqitet si anarki, por si shprehje e lirisë dhe një prej instrumenteve themelore të demokracisë.
Përtej humorit, ironisë dhe kritikës politike, “Protesta” është një thirrje për vetëdije qytetare. Libri ngre pyetje mbi përgjegjësinë individuale, barazinë para ligjit dhe rolin e qytetarëve në ndërtimin e një shoqërie ku institucionet janë më të rëndësishme se individët që i drejtojnë.
Mesazhi që përshkon veprën është se liria nuk është një dhuratë e përhershme, por një e drejtë që kërkon angazhim dhe mbrojtje të vazhdueshme. Me satirën si mjet dhe protestën si simbol, Thoma Gellçi fton lexuesin të largohet nga roli i spektatorit dhe të shohë me sy kritik realitetin që e rrethon.
Sepse, në fund të fundit, e ardhmja e një vendi nuk përcaktohet vetëm nga premtimet politike apo projektet madhështore, por edhe nga kuraja e qytetarëve për të kërkuar llogari dhe për të mos heshtur përballë padrejtësisë.
“Protesta” nga Thoma Gëllçi është një libër për të gjithë ata që besojnë se satira mund të jetë më shumë se një e qeshur: mund të jetë një mënyrë për të zgjuar ndërgjegjen qytetare.










Komente
Komento