Rreth 17.7 milionë euro u gjetën të groposura nën tokë dhe të fshehura në ndërtesa dhe depo të ndryshme Hungarisë. Paratë dyshohet se i përkasin ish-ministrit të Zhvillimit, Miklos Sesztak, i cili akuzohet për korrupsion.
Në pamjet e publikuara shihen autoritetet duke gërmuar me lopata në pyll për të nxjerrë paratë e groposura, ndërsa në imazhe të tjera dokumentohet sekuestrimi i shumave të mëdha të parave të gatshme.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Mbrojtjes së Aseteve (NVVH), gjatë një operacioni dyditor, të zhvilluar të enjten dhe të premten, u sekuestruan gjithsej 5,071,632,000 forinta hungareze, 2,658,350 euro dhe 1,257,100 dollarë. Agjencia bëri të ditur se paratë ishin zbuluar në disa vende, të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa, depo fermash dhe banesa private, si dhe në një kasafortë të sigurisë së lartë, të vendosur në një zonë të largët.
Miklos Sesztak shërbeu si ministër i Zhvillimit në periudhën 2014-2018, gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Ish-ministri akuzohet për marrje ryshfeti në një çështje që lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur nga kompania shtetërore e transportit të Hungarisë, me çmime të fryra. Sipas raportimit, Seszták është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, në hetime të tjera të veçanta janë arrestuar edhe dy ish-ministra dhe vëllai i Viktor Orbán.
Kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Orbán, është zotuar të hetojë akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin gjatë qeverisë së mëparshme.
Duke komentuar sekuestrimin e parave, Magyar deklaroi se njoftimi i NVVH-së “shënon zyrtarisht fundin e mafias Fidesz-KDNP”, duke iu referuar dy partive të koalicionit të mëparshëm qeverisës. Nga ana e tij, Viktor Orbán nuk ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit. Në të kaluarën, ai i ka cilësuar hetimet ndaj personave të afërt me të si “persekutim politik” që synonte burgosjen e tij.










