Erion Veliaj thyen heshtjen pas shkarkimit nga Rama
Një ditë pas shkarkimit nga drejtimi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë, duke zgjedhur një mesazh të tërthortë në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku ka publikuar pamje nga nisja e Maratonës së Tiranës, ku tymueset shumëngjyrëshe shënojnë startin e garës. Krahas videos, ai ka përcjellë një mesazh mbi vështirësitë dhe rëndësinë e këmbënguljes, i cili vjen në një moment kur pozicioni i tij brenda strukturave drejtuese të PS-së ka ndryshuar.
“Rruga drejt çdo finishi ka sfidat e veta. Ka momente kur rrethanat të thonë të ndalesh, por vullneti të kujton pse u nise. Mos u dorëzo, beso te forca jote dhe vazhdo përpara! Sepse, siç është e rëndësishme të mbërrish në finish, po aq është edhe të mos heqësh dorë nga rrugëtimi yt. Suksese”, shkruan Veliaj.
Edhe pse nuk përmend drejtpërdrejt zhvillimet politike apo vendimin për shkarkimin e tij, mesazhi i publikuar mund të lexohet në kontekstin e situatës së fundit brenda Partisë Socialiste.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare, kryeministri Edi Rama vendosi largimin e Veliajt nga drejtimi politik i PS-së në Tiranë. Në vend të tij, si bashkëdrejtues u emëruan Ervin Demo dhe Albana Koçiu, ndërsa Veliaj mbetet anëtar i thjeshtë i partisë.
Në të njëjtën mbledhje u vendos edhe largimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të PS-së, ndërsa të dy vijojnë të jenë anëtarë të partisë.
Ndërkohë, socialistët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 9 majit, me organizimin e strukturave për përzgjedhjen e kandidatëve në 46 bashkitë e vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



