Sa i kushton një punonjës biznesit në Shqipëri? Tregu me diferenca të mëdha mes sektorëve

Ekonomi | 14 minuta më parë

Punëdhënësit në Shqipëri shpenzuan mesatarisht 98 mijë e 561 lekë në muaj për çdo punonjës gjatë vitit 2024. Shifra përfshin jo vetëm pagën, por edhe kontributet e sigurimeve shoqërore që paguan biznesi, si dhe shpenzime të tjera që lidhen me punësimin.

Sipas të dhënave të INSTAT, pjesa më e madhe e kësaj kostoje, rreth 85.5%, shkon për pagat dhe shpërblimet e punonjësve. Ndërsa 14.3% përfaqëson shpenzime për kontributet shoqërore që paguhen nga ana e punëdhënësit.

Por kostoja e një punonjësi ndryshon ndjeshëm nga një sektor në tjetrin. Bizneset e financës dhe sigurimeve shpenzojnë mesatarisht 1,066 lekë për çdo orë pune, duke regjistruar nivelin më të lartë. Pas tyre renditen sektori i informacionit dhe komunikacionit, me 844 lekë për orë.

Në anën tjetër, kostoja më e ulët regjistrohet në hotele, restorante dhe shërbime ushqimore, ku një orë pune kushton mesatarisht 377 lekë. Edhe madhësia e biznesit ndikon në këtë tregues. Ndërmarrjet me mbi 1,000 punonjës shpenzojnë mesatarisht 685 lekë për orë, ndërsa ato me 10 deri në 49 punonjës, 480 lekë.

Në total, shpenzimet për punën në sektorët e përfshirë nga anketa arritën në rreth 469 miliardë lekë për vitin 2024.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme