Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq një jurist të Kadastrës Vlorë për shpërdorim detyre.

Administratorja e “Triumph Company” kallëzoi Andi Barjamin se kishte fshirë një shënim kufizues të kontratës së sipërmarrjes që kishte lidhur me pronarët e një toke në Selitë për një projekt me sipërfaqe 3250 metra katrorë.

Sipas kontratës, ndërtimi duhej të realizohej brenda 3 vjetëve nga marrja e lejes. Kontrata ishte regjistruar në Kadastër dhe në kartelën e pronës ishte vendosur një shënim kufizues sipas të cilit, mbrohej interesi i kompanisë në raport me pronarët e tokës.

Këta të fundit kanë pretenduar se kompania nuk e ka realizuar projektin dhe kanë kërkuar ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore dhe fshirjen e shënimit në Kadastër.

Kërkesa u trajtua nga Barjami, i cili punonte në Vlorë, por iu caktua nga shorti elektronik. Heqja e shënimit të tij i hapi rrugë pronarëve të tokës për të lidhur kontratë me një kompani tjetër, “AI Development”, pa u provuar se marrëveshja e mëparshme kishte pëfunduar ligjërisht.

Sipas prokurorisë, kjo ka cenuar interesin e “Triumph Company” duke mundësuar vënien e së njëjtës pasuri në favor të shoqërisë tjetër.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë