Profesori i sigurisë, Avni Islami, ka komentuar takimin e përfaqësuesve të Listës Studentore në Serbi, Dejan Shoshkiq dhe Miodrag Kërmar, me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Sipas Islamit, takimi tregon se lista mbetet e orientuar drejt Rusisë dhe mbështet politikën e Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai thotë se mbështetja ruse për Serbinë në çështjen e Kosovës, së bashku me zotimin e përfaqësuesve të listës për të mos iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës, dëshmon vazhdimësinë e aleancës ruso-serbe. Islami e konsideron këtë bashkëpunim të rëndësishëm për sigurinë e Kosovës dhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë:
Takimi i Dejan Shoshkiqit dhe Miodrag Kërmarit, përfaqësues të Listës Studentore, me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, tregon se kjo listë synon ta vijojë bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Ruse, sidomos për çështjen e Kosovës. Në takim u rikonfirmua përkrahja e Rusisë për politikën serbe ndaj Kosovës. Përfaqësuesit e listës u zotuan gjithashtu se Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, edhe nëse ata marrin drejtimin e qeverisë.
Për sigurinë e Kosovës, shqetësim përbën konfirmimi nga Lista Studentore i vazhdimit të politikës së Beogradit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, me mbështetjen diplomatike të Moskës.
Kjo lidhje u jep Rusisë dhe Serbisë mundësi të koordinohen më tej në platformat ndërkombëtare për të kundërshtuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe për të penguar forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Takimi tregon se Lista Studentore nuk sjell ndryshim në orientimin e deritanishëm të Serbisë për Kosovën. Ajo vijon qëndrimet kundër shtetësisë së Kosovës dhe mbështetet te aleanca me Rusinë.
Prandaj, ky orientim mbetet i rëndësishëm në vlerësimin e mjedisit të sigurisë në Kosovë dhe të zhvillimeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.








