Sport

Nations League, sot në Hungari përballja me Bjellorusinë/Live në Digitalb!

Sot në Hungari, Shqipëria luan një ndeshje vendimtare për fatet e këtij edicioni të Nations League. Kuqezinjtë sfidojnë Bjellorusinë në Budapest, në fushë neutrale dhe pa tifozë në orën 18:00. Takimi do të transmetohet live në Digitalb, në  sfidën kyçe për vendin e parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve.

Shqipëria kryeson grupin me 12 pikë, ndërsa bjellorusët renditen të dytët me 10, pas 5 ndeshjeve të luajtura. Një barazim i mjafton Kombëtares shqiptare që të sigurojë vendin e parë në grup e që do të thotë kualifikim në Ligën B.

Ndërkaq, Ernest Muçi, një nga lojtarët më në formë të kuqezinjve, nuk ka arritur të rikuperohet dhe do të mungojë në ndeshjen e sotme kundër Bjellorusisë.

Edhe Ylber Ramadani do të mungojë sepse është i skualifikuar, ndërsa Klevi Qefalija pritet ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.

Samuele Sina është bashkuar me skuadrën U21, teksa Ysni Ismaili e Feta Fetai janë të gatshëm për trajnerin Rolando Maran, për ndeshjen e sotme me Bjellorusinë.