Fshiu shënimin që mbronte kompaninë mbi truallin, juristi i Kadastrës përfundon në gjyq
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq për shpërdorim detyre juristin e Kadastrës së Vlorës, Andi Barjami, i cili akuzohet se ka hequr pa bazë ligjore një shënim kufizues mbi një truall me sipërfaqe 3 250 metra katrorë në zonën e Selitës, në Tiranë.
Çështja nisi pas kallëzimit të administratores së kompanisë “Triumph Company”, e cila pretendoi se Barjami kishte fshirë nga kartela e pasurisë shënimin që mbronte interesat e shoqërisë, në bazë të një kontrate sipërmarrjeje të lidhur me pronarët e tokës.
Sipas marrëveshjes, kompania duhej të realizonte projektin e ndërtimit brenda tre vjetëve nga momenti i pajisjes me leje. Kontrata ishte regjistruar në Kadastër dhe në kartelën e pronës ishte vendosur një shënim kufizues, që garantonte interesat e “Triumph Company” në raport me pronarët e truallit.
Këta të fundit pretenduan se kompania nuk e kishte realizuar projektin dhe kërkuan ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore, si dhe fshirjen e shënimit nga regjistri i pasurisë.
Kërkesa u shqyrtua nga Andi Barjami, i cili, megjithëse punonte në Kadastrën e Vlorës, ishte caktuar për trajtimin e saj përmes shortit elektronik.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, juristi ka vendosur heqjen e shënimit kufizues pa u provuar më parë se kontrata mes “Triumph Company” dhe pronarëve të tokës kishte përfunduar ligjërisht.
Ky veprim u krijoi mundësinë pronarëve të truallit të lidhin një marrëveshje të re me kompaninë “AI Development”, duke vendosur të njëjtën pasuri në dispozicion të një tjetër shoqërie ndërtimi.
Prokuroria vlerëson se, përmes fshirjes së shënimit, është cenuar interesi i “Triumph Company”, pasi është mundësuar lidhja e një marrëdhënieje të re kontraktore mbi të njëjtën pronë, pa u zgjidhur ligjërisht marrëveshja e mëparshme.
Për këtë arsye, Andi Barjami është dërguar për gjykim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



