Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave në Itali ka gjobitur kompaninë Meta, mëmë e Facebook, me 805 milionë euro (887 milionë dollarë), për aksesimin e fotografive të përdoruesve pa marrë pëlqimin e tyre të posaçëm.
Sipas autoritetit italian, përmes aplikacionit Facebook në pajisjet Android, Meta ka pasur akses në fotografi, video dhe të dhëna të tjera shoqëruese të përdoruesve italianë, “pa marrë pëlqimin e tyre specifik dhe pa i informuar në mënyrë të duhur”.
Meta ka deklaruar se do ta apelojë vendimin. Një zëdhënës i kompanisë tha se ajo “nuk pajtohet aspak” me vlerësimin e rregullatorëve dhe e konsideron gjobën joproporcionale, sipas The Guardian.
Gjobitja lidhet me funksionin e sugjerimit të fotove në galerinë e Facebook-ut, i cili është i disponueshëm që prej vitit 2023. Ky funksion u sugjeron përdoruesve fotografi dhe video nga galeria e telefonit si ide për postime, ndërsa ata shfletojnë aplikacionin.
Sipas rregullatorit italian, Facebook kërkonte akses në galerinë e telefonit përmes një autorizimi të vetëm, të vlefshëm për të gjithë aplikacionin. Përpara këtij autorizimi shfaqej një njoftim i përgjithshëm për aktivizimin e funksioneve të tjera, i cili nuk i informonte qartë përdoruesit se po lejonin gjithashtu sugjerimet e përmbajtjeve nga galeria e tyre personale.
Autoriteti kërkon që Meta të marrë pëlqimin përmes një kërkese të veçantë dhe specifike për këtë funksion. Përdoruesit duhet të informohen qartë se aplikacioni do të ketë akses në galerinë e fotografive dhe të videove, si dhe se si mund ta çaktivizojnë këtë funksion.
Rreth 20 milionë përdorues të prekur
Në përcaktimin e masës së gjobës, autoriteti italian mori parasysh numrin e madh të personave të prekur, rreth 20 milionë përdorues të Android në Itali, si dhe kohëzgjatjen e shkeljes.
Sipas tij, shkelja vijon për përdoruesit që nuk e kanë përditësuar aplikacionin, por edhe për ata që kanë dhënë më parë pëlqimin përmes sistemit ekzistues.
Një tjetër faktor që ndikoi në masën e gjobës ishte, sipas autoritetit, mungesa e bashkëpunimit nga Meta gjatë hetimit.
Gjoba përfaqëson rreth 0.4% të xhiros vjetore të grupit, e cila arriti në 201 miliardë dollarë në vitin 2025, ndërsa fitimi neto ishte 60.5 miliardë dollarë.
Një tjetër gjobë rekord për Metën në SHBA
Në fund të tetorit, autoritetet në shtetin amerikan të New Mexico-s urdhëruan Metën të paguante 25 miliardë dollarë, pasi akuzuan kompaninë se për më shumë se një dekadë kishte keqinformuar banorët për mënyrën e përdorimit të të dhënave të tyre.
Meta e kundërshtoi ashpër atë vendim, duke e cilësuar gjobën si një “taksë” mbi lirinë e shprehjes.
Gjobitja e fundit në Itali është ndër më të mëdhatë që një autoritet italian ka vendosur ndaj një kompanie teknologjike.
Në vitin 2021, edhe Amazon u gjobit me më shumë se 1.1 miliardë euro për shkelje të ligjit të konkurrencës. Pas apelimit, kjo shumë u reduktua në 752 milionë euro.
