FDA paralajmëron për rrezikun e humbjes së shikimit nga injeksionet për dobësim, ja cilat janë simptomat

15/11/2026 12:13

Një injeksion për humbje peshe mund të shkaktojë pasoja në shikim.

Ky është paralajmërimi më i fundit i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila thekson se medikamentet që po përdoren gjithnjë e më shumë për dobësim, përfshirë Ozempic, Mounjaro dhe Wegovy, mund të shoqërohen me një rrezik të shtuar për një sëmundje të syrit, të njohur si neuropatia optike ishemike.

Kjo patologji shkaktohet nga ulja e furnizimit me gjak të pjesës së përparme të nervit optik dhe mund të çojë në humbje të papritur të shikimit, madje edhe në dëmtime të përhershme.

Përdoruesit e këtyre injeksioneve mund të përjetojnë humbje të papritur të shikimit në njërin sy. Ndër simptomat e tjera janë pamja e turbullt ose shfaqja e njollave të errëta në fushën e shikimit, vështirësia në dallimin e ngjyrave dhe ulja e mprehtësisë së shikimit.

Sipas FDA-së, pacientët mund të mos ndiejnë dhimbje dhe të mos e kuptojnë menjëherë se kanë një problem me shikimin. Në disa raste, ata mund ta konstatojnë atë vetëm kur zgjohen në mëngjes.

Në analizën e 126 studimeve klinike, ku morën pjesë 134 mijë persona, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave identifikoi afro gjashtë raste për çdo 100 mijë përdorues të medikamenteve të grupit GLP-1.

Për këtë arsye, FDA kërkon që ky efekt anësor të përfshihet në fletëudhëzimet informuese të këtyre barnave.

Ndërkohë, përdoruesve të injeksioneve dhe medikamenteve orale për dobësim, të cilët vërejnë ndryshime të papritura në shikim, u rekomandohet të kërkojnë menjëherë një vlerësim nga okulisti.

Megjithatë, FDA thekson se pacientët nuk duhet t’i ndërpresin vetë medikamentet pa marrë më parë rekomandimin e mjekut.

Top Channel