Një injeksion për humbje peshe mund të shkaktojë pasoja në shikim. Ky është paralajmërimi i fundit i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila thotë se medikamentet për dobësim që po përdoren më shpesh, përfshirë Ozempic, Mounjaro dhe Wegovy, mund të lidhen me një rrezik të shtuar për neuropatinë optike ishemike. Kjo sëmundje bën që të ulet furnizimi me gjak i pjesës së përparme të nervit optik dhe mund të sjellë humbje të papritur të shikimit, edhe dëmtime të përhershme.
Përdoruesit mund të përjetojnë humbje të papritur të shikimit në njërin sy. Simptomat e tjera të përmendura përfshijnë pamje të turbullt, shfaqje të njollave të errëta në fushën e shikimit, vështirësi në dallimin e ngjyrave dhe ulje të mprehtësisë së shikimit. FDA thekson se pacientët shpesh nuk ndiejnë dhimbje dhe nuk e vënë re menjëherë problemin; në disa raste pacientët e konstatojnë ndryshimin vetëm kur zgjojnë në mëngjes.
Në analizën e 126 studimeve klinike, me gjithsej 134 mijë pjesëmarrës, Administrata gjeti rreth gjashtë raste për çdo 100 mijë përdorues të barnave të grupit GLP-1. Bazuar në këto gjetje, FDA kërkon që ky efekt anësor të përfshihet në fletëudhëzimet informuese të barnave të përdorura për dobësim.
Përdoruesve të injeksioneve dhe barnave orale që ulin peshën, të cilët vërejnë ndryshime të papritura në shikim, u rekomandohet të kërkojnë menjëherë një vlerësim nga okulisti. FDA nënvizon gjithashtu se pacientët nuk duhet të ndërprejnë vetë medikamentet pa u konsultuar me mjekun; ndalimi i trajtimit duhet të bëhet vetëm pas rekomandimit profesional.
Lajmi vjen ndërsa përdorimi i këtyre barnave për dobësim po rritet, dhe autoritetet kërkojnë informim më të qartë për rreziqet e mundshme për shikimin në materialet shoqëruese të terapisë.
