Kompania SpaceX e Elon Musk ka realizuar për herë të parë një manovër të veçantë në historinë e fluturimeve hapësinore. Në vend që anija hapësinore të ulej në tokë pas përfundimit të udhëtimit, ajo u kap në ajër nga dy krahë gjigantë mekanikë. Kjo manovër synon të bëjë të mundur që anijet të kthehen nga hapësira dhe të përdoren përsëri, duke ulur kostot e fluturimeve.
Manovra u realizua të shtunën, më 14 nëntor, në bazën hapësinore të kompanisë SpaceX në Teksas, SHBA. Anija Starship ishte nisur një ditë më parë dhe kishte kaluar rreth 22 orë në hapësirë, duke bërë 14 rrotullime rreth Tokës, në një lartësi prej rreth 265 kilometrash.
Pas përfundimit të udhëtimit, anija u kthye në atmosferën e Tokës dhe nisi zbritjen drejt bazës nga ku ishte lëshuar. Pikërisht në këtë moment u realizua edhe manovra e pazakontë. Starship ndezi motorët për të ngadalësuar zbritjen dhe për të qëndruar për pak çaste pezull në ajër, pranë një kulle gjigante metalike.
Kulla ishte e pajisur me dy krahë të mëdhenj mekanikë, të projektuar posaçërisht për të kapur anijen. Starship u pozicionua mes tyre dhe krahët e mbajtën të palëvizshme, pa qenë nevoja që ajo të ulej në tokë. Ajo që e bën të veçantë këtë manovër është fakti se, për herë të parë, një anije që kishte udhëtuar në orbitën e Tokës u kthye dhe u kap drejtpërdrejt në bazën e nisjes.
Kapja e një anijeje të tillë është më e vështirë se kapja e pjesës së poshtme të raketës, pasi ajo udhëton në lartësi dhe shpejtësi shumë më të mëdha dhe duhet të përballojë temperaturat ekstreme gjatë kthimit në atmosferë.
Për Elon Musk, kjo teknologji është pjesë e planit për t'i bërë udhëtimet hapësinore më të lira. Në vend që anijet të humbasin apo të shkatërrohen pas çdo fluturimi, SpaceX synon t'i rikthejë në bazë dhe t'i përdorë sërish.
Megjithatë, prova nuk përfundoi plotësisht sipas planit. Kompania synonte të kapte edhe pjesën e poshtme të raketës, e cila shërben për ta ngritur anijen nga Toka. Por një problem pas nisjes bëri që ajo të devijohej mbi Gjirin e Meksikës, ku shpërtheu përpara se të binte në ujë. Pavarësisht kësaj, kapja e Starship shënoi një arritje për SpaceX dhe për planet e saj për ripërdorimin e anijeve hapësinore.
Manovra u përshëndet edhe nga drejtuesi i NASA-s, Jared Isaacman, i cili e përshkroi me fjalët: “Pothuajse magji”.




Komente
Komento