Dy peshat e rënda të UFC-së, Ciryl Gane dhe Josh Hokit, përfunduan në spital për kontrolle mjekësore pas një prej përballjeve më të forta dhe më intensive të zhvilluara në “Madison Square Garden”. Luftëtari francez triumfoi ndaj amerikanit me vendim unanim të gjyqtarëve në ngjarjen e mbajtur të shtunën në mbrëmje në kryeqytetin e botës së madhe të sportit.
Ndeshja ishte jashtëzakonisht e fortë dhe e luftuar, me të dy sportistët që regjistruan një numër të jashtëzakonshëm goditjesh të fuqishme. Gane realizoi 167 goditje të rëndësishme, ndërsa Hokit regjistroi 113 të tilla, përveç 26 tentativave për rrëzim, një shifër mjaft e pazakontë për kategorinë e peshave të rënda.
Pavarësisht kundërshtimeve të herëpashershme nga publiku vendas, fitorja iu dha përfundimisht francezit. Të tre gjyqtarët e vlerësuan duelin me rezultatin 48-47 në favor të Gane, i cili siguroi suksesin pas pesë raundeve të plota dhe sfiduese.
Pas përfundimit të ndeshjes, të dy luftëtarët iu përgjigjën shkurtimisht pyetjeve të analistit Joe Rogan brenda kafazit. Gane vlerësoi lart kundërshtarin e tij, duke e cilësuar atë si një sportist me një të ardhme të madhe në këtë sport.
Megjithatë, për shkak të intensitetit të lartë dhe goditjeve të shumta të marra gjatë pesë raundeve, të dy u dërguan menjëherë në spital për kontrolle të detajuara dhe për t’i bërë një skaner CT, si masë paraprake mjekësore. Për këtë arsye, asnjëri prej tyre nuk mundën të merrnin pjesë në konferencën tradicionale për shtyp pas përfundimit të eventit.










