Në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, u takua me ministrin e Mjedisit të Bangladeshit dhe ministren e Shtetit për Politikë të Jashtme të këtij vendi.
Pacolli njoftoi përmes një postimi se bisedimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bangladeshit. Ndër fushat e diskutuara ishin menaxhimi i ujërave dhe mbeturinave, riciklimi i tekstilit, përballimi i ndryshimeve klimatike dhe shkëmbimi i ekspertizës teknike.
Të lidhura
None found
Sipas ministres, palët ranë dakord të përgatisin dhe të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale në fushën e mjedisit.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se, me ftesë të ministres së Shtetit për Politikë të Jashtme të Bangladeshit, do të zhvillojë një vizitë bilaterale në atë vend. Gjatë vizitës pritet të nënshkruhet marrëveshja dhe të përcaktohen konkretisht fushat e bashkëpunimit.
Pacolli tha se bashkëpunimi synon të hapë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës mbi çështje mjedisore me interes të përbashkët.







