Vetëm 17 vjeç, Nikolas Gjoni nga qyteti i Lezhës guxoi dhe, duke besuar tek aftësitë e tij, realizoi ëndrrën për një koncert recital në qytetin e tij të lindjes.

Adoleshenti lezhian falë pasionit ia arriti që të bashkonte fizarmonikën dhe tingujt e orkestrës, nga ku buroi muzika klasike.

Krahas muzikës nga kompozitorë të mëdhenj, nuk mungoi edhe krijimtaria e 17-vjeçarit, e cila erdhi si një ogur i mirë për rrugën drejt suksesit.

Nxënësi i liceut artistik të Tiranës, Nikolas Gjoni, po e zhvillon pasionin për muzikën jo vetëm përmes interpretimit me fizarmonikën e tij, por edhe përmes kompozimit. Për të, kjo mbrëmje kishte një emocion të veçantë, pasi në skenën e qytetit të tij solli edhe pjesë të krijimtarisë personale, të cilat u pritën me duartrokitje nga publiku.

“Ka akoma përmirësim për shumë gjëra. Këtu mbyllet periudha ime si interpretues me fizarmonikë, jam në vit të tretë. Më pas do të fokusohem te krijimtaria”, tha Gjoni.

Profesionistët që ndoqën koncertin e konsiderojnë 17-vjeçarin Nikolas Gjoni si një tjetër talent të Lezhës, i cili dëshmoi përmes këtij koncerti aftësitë e tij në fushën e kompozimit dhe jo vetëm.

“Ishte një mbrëmje e bukur që meritonte vëmendjen e opinionit publik, ashtu si shumë njerëz që kanë shijuar formacionin e orkestrës. Nikolasi tregoi edhe njëherë dhe talentin e tij”, tha kompozitori Zef Çoba.

“Kur Nikolasi m’i ka treguar këto gjëra, kemi filluar të ideojmë koncertin. Nikolasi është në hapat e para të kësaj gjëje dhe mendoj se rruga për të do të jetë e sigurt. Lezha është një shembull si duhet të jetë muzika klasike, është krijuar një grup talentesh”, tha dirigjenti Harlen Nikolli.

Koncerti i Lezhës tregoi se krahas talentit për interpretim, Nikolas Gjoni ka nisur të ndërtojë edhe emrin e tij si krijues.