Food & Drink Health & Beauty

E thotë studimi shkencor: Kafe rregullisht dhe sistemi tretës do t’ju falënderojë!

Një studim shkencor i Universitetit të Kopenhagenit zbuloi se pirja e rregullt e kafesë mund të ndikojë në funksionimin e sistemit tretës, veçanërisht në lëvizjet e zorrëve e kontrakimet e zorrës së trashë, si dhe lidhet me diversitet më të madh të baktereve të zorrëve.

I botuar në revistën Gut Microbiology, e specializuar në kërkime mbi mikroorganizmat e zorrëve, studimi synonte të hetonte lidhjen mes konsumit të zakonshëm të kafesë e kushteve fiziologjike brenda sistemit tretës.

Ekipi kërkimor përdori një kapsulë të vogël elektronike që pjesëmarrësit e gëlltitnin për të monitoruar ndryshimet gjatë kalimit të saj nëpër sistemin tretës.

Kapsula maste tregues të ndryshëm, përfshirë kohën e kalimit të përmbajtjes nëpër traktin gastrointestinal, temperaturën, nivelet e aciditetit dhe kontrakimet e zorrëve.

Në studim morën pjesë 61 të rritur të shëndetshëm në Danimarkë. Hulumtuesit i ndanë në dy grupe, sipas sasisë së kafesë që konsumonin:

Grupi i parë: njerëz që pinë 1 deri në 5 filxhanë kafe në ditë, për më shumë se tre nga tetë ditët e studimit.

Grupi i dytë: njerëz që pinin kafe më rrallë.

Rezultatet treguan se personat që konsumuan kafe rregullisht kishin diversitet më të madh të mikroorganizmave në zorrë krahasuar me ata që pinë më pak. Kjo gjetje përputhet me të tjera kërkime që sugjerojnë se kafeja mund të ndikojë në përbërjen e mikrobiomës së zorrëve.

Një nga rezultatet më të spikatura ishte se personat që pinë kafe rregullisht kishin nivele shumë më të ulëta të aciditetit në zorrën e hollë, krahasuar me ata që e konsumojnë më rrallë.

Gjithashtu u vu re lidhje mes konsumit më të lartë të kafesë dhe numrit më të madh të kontrakimeve në zorrën e trashë, lëvizje muskulore që ndihmojnë në shtyrjen e përmbajtjes intestinale.

Këto kontrakime luajnë rol në tretje e në rregullimin e jashtëqitjes, duke ndihmuar në lëvizjen e mbeturinave dhe potencialisht, në parandalimin e kapsllëkut, si dhe në mbajtjen e muskujve intestinalë në gjendje të mirë.

Por, hulumtuesit ende nuk janë në gjendje të përcaktojnë nëse niveli më i ulët i aciditetit në zorrën e hollë është i dobishëm për shëndetin apo mund të ketë efekte negative.

Henrik Munch Roager, Profesor i Asociuar beson se ka arsye për të mbështetur mundësinë që kafeja luan rol në këto ndryshime.

Ai shpjegoi se studime të mëparshme kanë treguar se kafeja ndikon në një sërë procesesh brenda sistemit tretës, përfshirë sekretimin e acideve në stomak.

Sipas tij, kjo e bën të mundshme që ndryshimet e vërejtura të lidhen me efektet e kafesë dhe jo të jenë thjesht rastësi.

Shumë njerëz e vërejnë nga përvoja e përditshme se kafeja ndikon në tretjen e tyre.

Hapi tjetër i ekipit kërkimor do të jetë kryerja e një studimi ku të kontrollohet sasia e kafesë që pjesëmarrësit pinë, jo thjesht të vëzhgohen zakonet e tyre.

Një studim i tillë do të ndihmonte për të përcaktuar nëse kafeja shkakton me të vërtetë këto ndryshime e për të kuptuar mekanizmat përmes të cilave mund të ndikojë në lëvizjet dhe kontrakimet e zorrëve.