Trump kërkon emërimin e gjyqtarëve përpara se demokratët të marrin Senatin, kundërshtohet nga republikanët

Përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump për të emëruar gjyqtarët , po përballet me kundërshtime nga disa senatorë republikanë. Këto përplasje vijnë përpara se demokratët të marrin kontrollin e Senatit, pas fitores që morën në zgjedhjet e javës së kaluar.
Deri tani, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, janë konfirmuar 57 gjyqtarë të propozuar prej tij, ndërsa 23 kandidatura të tjera janë ende në pritje të miratimit.
Trump synon të përfitojë nga javët e fundit të kontrollit republikan në Senat për të forcuar ndikimin konservator në sistemin gjyqësor amerikan, i cili pritet të zgjasë edhe pas përfundimit të presidencës së tij.
Kundërshtimet vijnë nga disa senatorë republikanë, të cilët kërkojnë të ruajnë ndikimin e tyre në përzgjedhjen e gjyqtarëve në shtetet që përfaqësojnë. Sipas traditës së Senatit, senatorët mund të bllokojnë kandidaturat duke mos dhënë miratimin përmes dokumentit të njohur si “blue slip”, i cili shpreh mbështetjen e tyre për kandidatin.
Senatori republikan nga Oklahoma, Alan Armstrong, kritikoi Shtëpinë e Bardhë se ka injoruar emrat e propozuar prej tyre dhe ka zgjedhur kandidatët e vet pa konsultim.
Një nga rastet më të fundit ishte tërheqja e kandidaturës së gjyqtarit Lee Rudofsky për Gjykatën e Apelit të Qarkut të Tetë, pasi senatorët republikanë nga Arkansas, John Boozman dhe Tom Cotton, e kundërshtuan atë.
Në vend të tij, Trump propozoi gjyqtarin e Gjykatës së Lartë të Arkansasit, J. Cody Hiland. Edhe senatorët Thom Tillis dhe John Cornyn kanë vënë në pikëpyetje emërime të tjera. Cornyn nuk ka dhënë mbështetjen për T. Elliot Gaiser, kandidatin për një pozicion gjyqtari federal në Dallas, ndërsa Armstrong ka tërhequr miratimin për Zach West, të propozuarin për një post gjyqësor në Oklahoma.
Tillis ka mbështetur kundërshtimet e kolegëve të tij dhe ka paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë se nuk mund të imponojë kandidatët pa marrë parasysh mendimin e senatorëve të shteteve përkatëse. Ai argumentoi se senatorët meritojnë më shumë respekt në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe se administrata duhet të presë kundërshtime kur nuk konsultohet me ta.
Ndërkohë, kreu i shumicës në Senat, John Thune, e ka cilësuar miratimin e gjyqtarëve si një nga përparësitë kryesore të republikanëve gjatë javëve të mbetura të kontrollit të dhomës. Senati ka konfirmuar kandidatin e parë gjatë kësaj periudhe të fundit të legjislaturës, por 23 emërime të tjera janë ende në pritje, mes tyre edhe kandidatura e gjyqtarit Daniel Domenico për Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dhjetë.
Trump synon të përfundojë sa më shumë emërime përpara ndryshimit të shumicës në Senat, duke vijuar projektin e nisur gjatë mandatit të tij të parë për të ndryshuar përbërjen ideologjike të gjyqësorit federal në favor të konservatorëve. Nga viti 2017 deri në vitin 2021, ai emëroi 234 gjyqtarë, përfshirë tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka një shumicë konservatore prej gjashtë anëtarësh kundrejt tre. Rreth një e treta e gjyqtarëve aktivë në SHBA janë emëruar nga Trumpi.
Megjithatë, përpjekjet e tij mund të pengohen nga senatorët që janë në përfundim të mandateve. Armstrong do të largohet nga Senati më 30 nëntor dhe do të zëvendësohet nga republikani Kevin Hern, i cili mund të mbajë një qëndrim tjetër për kandidaturën e Westit.




