Incident në aeroportin e Miamit/ Avioni i mallrave përplaset me atë të pasagjerëve, Boeing i UPS dhe ai i Copa Airlines pësojnë dëmtime

15/11/2026 13:54

Një avion mallrash dhe një avion pasagjerësh janë përplasur të shtunën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, duke shkaktuar dëmtime të lehta materiale.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.

Sipas raportimeve, në përplasje u përfshinë një Boeing 767 i kompanisë UPS dhe një Boeing 737 i Copa Airlines. Ngjarja ndodhi teksa të dy avionët po lëviznin me shpejtësi të ulët, në kryqëzimin e dy pistave të taksive të aeroportit.

Zyrtari i komunikimit të aeroportit bëri të ditur për CBS News Miami se incidenti ndodhi rreth orës 21:15, kur një avion që po mbërrinte dhe një tjetër që po përgatitej të nisej ranë në kontakt.

Përplasja shkaktoi dëmtime të lehta në pjesën e përparme të njërit prej avionëve. Dy persona morën ndihmën e parë në vendngjarje, por gjendja e tyre nuk kërkoi transportimin me ambulancë në spital.

Avioni i UPS, me numër fluturimi 358, ishte planifikuar të nisej nga Miami drejt Bogotas, në Kolumbi, ndërsa avioni i Copa Airlines, me numër fluturimi 427, po mbërrinte nga Panama City, ku ndodhet edhe selia e kompanisë ajrore.

Pas incidentit, avionët u devijuan drejt pistave të tjera të taksive, ndërsa autoritetet e aeroportit deklaruan se përplasja nuk pati ndikim të menjëhershëm në funksionimin e përgjithshëm të tij.

Ngjarja ndodhi në një periudhë kur Aeroporti i Miamit po përballet me vonesa dhe anulime fluturimesh, pas pezullimit të fluturimeve në të gjithë vendin të urdhëruar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të premten.

Top Channel