Është zhvilluar sot në kryeqytet edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës ku morën pjesë rreth 5.800 garues.
Gara përfshinte maratonën e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratonën 21 kilometra, garën 10 kilometra, kategorinë e re 5 kilometra dhe garën 3 kilometra “We Too”. Kjo e fundit bëri pjesë personat me aftësi të kufizuara duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë.


Eventi sportiv ka nisur që prej orës 08:00 ndërsa në kuadër të planit të masave të hartuar nga Policia për garantimin e mbarëvajtjes, qarkullimi është pezulluar në disa akse kryesore deri në orën 16:00.

Gjithashtu bllokim dhe devijim te qarkullimit ka edhe në Unazën e Mesme përveç segmentit ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri tek Rruga e “Elbasanit”, rruga “Luigj Gurakuqi”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Barrikadave”, rruga “Mine Peza”, rruga e “Kavajës” nga ura te shkolla teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”. Për shkak të maratonës, është devijuar dhe transporti i linjave publike të transportit.










