Paralajmërimi i shkencëtarëve: El Niño mund të sjellë katastrofën më të madhe klimatike në 1000 vite

15/11/2026 14:03

Fenomeni klimatik El Niño pritet të shkaktojë pasoja të rënda në mbarë botën, ndërsa parashikimet flasin për një nga episodet më të fuqishme të regjistruara në të paktën 1,000 vitet e fundit.

Përballë përkeqësimit të krizës klimatike, ky fenomen po shton shqetësimet për thatësirat, përmbytjet, zjarret dhe mungesën e ushqimit në shumë rajone të botës.

Alarmi është ngritur gjatë bisedimeve të OKB-së për klimën, COP31, që po zhvillohen në Turqi, ku përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë kanë kërkuar masa urgjente, veçanërisht për vendet më të varfra dhe më të ekspozuara ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.

El Niño është një fenomen natyror që përsëritet çdo disa vite dhe karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor. Megjithëse është një proces natyror, ndikimi i tij në kushtet atmosferike mund të jetë global, duke shkaktuar ndryshime të forta në modelet e reshjeve dhe temperaturave.

Pasojat e këtij fenomeni kanë nisur të ndihen në disa vende. Indonezia është përballur me zjarre të mëdha dhe dëmtime të të korrave, ndërsa në SHBA janë regjistruar përmbytje bregdetare. Në Sudan po përkeqësohet thatësira, ndërsa Ekuadori dhe Somalia janë goditur nga përmbytje të konsiderueshme.

Sekretarja e përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, paralajmëroi se ndryshimet klimatike po i bëjnë fenomenet ekstreme edhe më të rrezikshme.

“Ne po e mbingarkojmë motin tonë dhe El Niño do të jetë një shumëzues rreziku”, deklaroi ajo.

Një nga vendet më të prekura pritet të jetë edhe Ishujt Marshall në Oqeanin Paqësor, ku thatësira ka shkaktuar një krizë të furnizimit me ujë. Vendi, i cili mbështetet kryesisht te reshjet për sigurimin e ujit të pijshëm, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

E dërguara e klimës për Ishujt Marshall, Kathy Jetn̄il-Kijiner, tha se vendi po përballet me një situatë gjithnjë e më të vështirë, ndërsa thatësira i shtohet kërcënimit nga rritja e nivelit të detit, që rrezikon banesat dhe burimet e ujit të pijshëm.

Një tjetër shqetësim madhor lidhet me mungesën e financimit për vendet në zhvillim. Vitin e kaluar, shtetet e pasura ranë dakord të trefishonin fondet për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, por shumat e siguruara mbeten shumë larg nevojave reale.

Sipas vlerësimeve, deri në vitin 2035 nevojiten rreth 305 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar vendet më të varfra të përballojnë përmbytjet, valët e të nxehtit, zjarret dhe pasojat e tjera të krizës klimatike.

“Vendet që kanë bërë më pak për të shkaktuar ndryshimet klimatike po përballen me fatura që nuk mund t’i përballojnë”, u shpreh Jetn̄il-Kijiner, duke kërkuar më shumë mbështetje financiare nga shtetet e pasura.

Shqetësim i veçantë ekziston edhe për Afrikën Lindore, ku thatësira mund të shkaktojë zhvendosje masive të popullsisë. Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) paralajmëron se deri në 3 milionë persona mund të detyrohen të largohen nga vendbanimet e tyre në Kenia, Somali, Sudanin e Jugut dhe Ugandë.

Situata është veçanërisht shqetësuese në Kenia, ku prodhimi i misrit ka shënuar një rënie prej 40%. Kjo pritet të rëndojë më tej sigurinë ushqimore dhe të kufizojë mundësitë e vendit për të përballuar fluksin e refugjatëve.

Ndërkohë, shkencëtari i klimës dhe drejtori ekzekutiv i Climate Analytics, Bill Hare, paralajmëroi se El Niño mund ta bëjë ngrohjen globale të ndihet edhe më e përshpejtuar, duke rritur rrezikun e krizave humanitare të lidhura me ushqimin dhe ujin.

Sipas parashikimeve, fenomeni pritet të arrijë kulmin në dhjetor dhe ndikimet e tij do të vijojnë gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Temperaturat ekstreme, reshjet e pakta ose të tepërta dhe dëmtimi i të korrave pritet të jenë ndër pasojat kryesore, ndërsa oqeanet mund të përballen me zbardhjen e koraleve për shkak të stresit termik.

Përfaqësuesit e organizatave mjedisore kërkojnë që shtetet të mos kufizohen më vetëm te premtimet diplomatike, por të sigurojnë mbështetje konkrete për komunitetet e prekura.

“Nuk mund ta mbrosh një të korrë me një premtim. Njerëzit kanë nevojë për burime në terren”, deklaroi Mohamed Adow, themelues i organizatës Power Shift Africa.

Ai theksoi se vendet që po përballen drejtpërdrejt me pasojat e krizës klimatike nuk mund të presin më për angazhime të reja ndërkombëtare, por kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Top Channel