Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Heshtja”, i cili u zhvillua më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se Haraqija është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Sipas avokatit, klienti i tij është marrë në pyetje lidhur me dyshimet për vepra penale që ndërlidhen me kontrabandimin e narkotikëve.
“Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar. Për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh”, ka deklaruar Bokshi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Policia ka bastisur banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrolleve nuk është gjetur asgjë inkriminuese që lidhet me veprën për të cilën dyshohet.
Avokati ka konfirmuar se ndaj klientit të tij është ndaluar për 48 orë, ndërsa ka bërë ankesë pranë gjyqtarit lidhur me këtë vendim.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale”, ka deklaruar avokati Bokshi.
Hetimet në kuadër të operacionit “Heshtja” janë duke vazhduar.