Operacion i BE-së për të goditur flotën sekrete ruse. Eshtë fjala për rrjetin e anijeve që përdor Moska për të transportuar naftë duke shmangur sanksionet perëndimore.
Tankeri i naftës së papërpunuar me emrin MV MIDAG po lundronte nën flamur të rremë dhe u ndalua më 13 nëntor nga Operacioni IRINI i BE-së, njoftoi kryediplomatja europiane Kaja Kallas në X.
Operacioni IRINI është misioni i Unionit që monitoron trafikimin e armëve dhe naftës në Mesdhe e sipas faqes së gjurmimit të anijeve MarineTraffic, mjeti lundronte me flamurin e Zimbabves.
BE-ja do të vazhdojë të godasë flotën sekrete ruse në det dhe përmes mjeteve diplomatike, theksoi Kallas.
Veprimi u krye në bazë të Nenit 110 të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit, që lejon inspektimin e anijeve në rrethana të caktuara.
Ministrat e Jashtëm të BE-së, nesër pritet të miratojnë lista të reja sanksionesh kundër Rusisë e që përfshijnë banka, blerës dhe kompani që mbështesin flotën sekrete.
BE-ja ka intensifikuar veprimet kundër anijeve të dyshuara. Në gusht, forcat e BE-së hipën në tankerin MV Sun, po në Mesdhe, për të verifikuar flamurin e tij.
Flota sekrete ruse ka kontribuar ndjeshëm në aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën kundër Ukrainës. Deri në maj 2026, regjistri i qeverisë ukrainase identifikonte 1.404 anije si pjesë të kësaj flote.