Dy protestues të njohur si të grupit të Flamingove janë arrestuar në Durrës, pasi qëlluan me vezë dhe sende të tjera të forta makinën në të cilën po udhëtonte kreu i qeverisë Edi Rama, të shtunën në Maminas.

Incidenti ndodhi kur Rama po shkonte në Gjirin e Lalzit, aty ku do të mbahej Asambleja e PS-së dhe disa aktivistë i dolën eskortës në rrugë dhe e qëlluan me vezë makinë ne kryeministrit.

Edison Lika, 28 vjeç dhe Albi Dema, 37 vjeç, ranë në prangat e Policisë ndërsa ndaj tyre u komunikua edhe masa e arrestit. Lika është një ndër aktivistët më të zëshëm të Flamingove ndërsa kjo është e disata herë që ai është shoqëruar në polici nga protestat. Ata janë proceduar për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës.

Ndërsa 8 të tjerë që ishin të pranishëm janë proceduar penalisht në gjendje të lirë me akuzën e prishjes së qetësisë publike.