Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur fituese e Maratonës së Tiranës, duke triumfuar në garën kryesore prej 42 kilometrash. Në edicionin e dhjetë të këtij eventi sportiv, ku morën pjesë rreth 5,800 garues, Gega siguroi edhe çmimin e madh prej 5 mijë eurosh.
Luiza Gega ka triumfuar në edicionin e dhjetë të Maratonës së Tiranës, duke u renditur në krye të garës së plotë prej 42 kilometrash. Atletja shqiptare përshkoi distancën maratonike dhe fitoi çmimin prej 5 mijë eurosh, në një aktivitet që këtë të diel mblodhi rreth 5,800 pjesëmarrës.
Të lidhura
None found
Maratona nisi në orën 08:00 dhe përveç garës kryesore, këtë vit solli edhe një risi: garën prej 5 kilometrash, e cila synon të përfshijë më shumë qytetarë dhe t’u japë mundësi edhe atyre që nuk janë atletë profesionistë të bëhen pjesë e aktivitetit.
Organizimi i këtij eventi ka kërkuar gjashtë muaj përgatitje, ndërsa në terren janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Për shkak të zhvillimit të maratonës, një pjesë e konsiderueshme e rrugëve të kryeqytetit do të qëndrojnë të bllokuara për qarkullimin e automjeteve deri në orën 16:00.
Pa qarkullim do të jetë e gjithë Unaza e Vogël e Tiranës, si dhe bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Kufizimet përfshijnë gjithashtu segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e ish-Bllokut dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Ndërkohë, për shkak të itinerarit të garës, edhe disa linja të transportit publik urban do të devijohen gjatë ditës së diel.








