Richard Grenell, një nga figurat e afërta me Donald Trumpin dhe anëtar i bordit drejtues të organizatës konservatore amerikane CPAC, shfaqet sërish duke i bërë një ‘qokë’ të fundit ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiçin.
Konferenca e parë e CPAC Balkans do të mbahet në Beograd në janar 2027, ku Vuçiç është konfirmuar si një nga pjesëmarrësit kryesorë.
Njoftimi është bërë nga vetë organizata CPAC, e cila ka deklaruar se aktiviteti do të mbledhë në kryeqytetin serb drejtues politikë, vendimmarrës, përfaqësues të lëvizjeve konservatore dhe aktivistë nga vende të ndryshme të rajonit.
Në komunikatën e saj, CPAC e cilëson Vuçiçin si një prej figurave më me ndikim në politikën serbe dhe atë ballkanike, duke nënvizuar rolin e tij në diskutimet për të ardhmen e rajonit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Ndër temat kryesore të konferencës do të jenë sovraniteti kombëtar, siguria energjetike dhe forcimi i partneritetit mes vendeve të Ballkanit dhe SHBA-së.
Njoftimi i CPAC ka marrë edhe komente kritike në rrjetin social X.
Komentuesit vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e Vuçiçit, duke e cilësuar atë si politikan të majtë dhe pro-Kremlinit, ndërsa kujtojnë edhe periudhën kur ai shërbente si ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit, gjatë luftës në Kosovë.
Grenell, marrëdhënia me Vuçiçin dhe lidhjet me rrethin e Trumpit
Marrëdhënia mes Richard Grenellit dhe Aleksandar Vuçiçit daton që nga mandati i parë i Donald Trumpit.
Grenell shërbeu si i dërguar i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi dhe ishte një prej figurave kryesore në negociatat që çuan në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e Trumpit.
Që prej asaj periudhe, Grenell ka ruajtur kontakte të afërta me drejtuesit serbë dhe është angazhuar për afrimin e Beogradit me administratën amerikane.
Grenell gjithashtu ndërmjetësoi për organizimin e një takimi mes Vuçiçit dhe Trumpit në rezidencën Mar-a-Lago, në maj 2025.
Sipas mediave, shefja e kabinetit të Trumpit, Susie Wiles, kishte bllokuar takimin.
Ndërkohë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i kishte cilësuar pretendimet si “fake news”.
Më pas, edhe vetë Wiles mohoi se kishte pasur një përplasje me Grenellin, duke deklaruar se nuk ishin miq të afërt, por se nuk kishte ndodhur konflikti i përfolur.

Nga projekti në Beograd te investimet e Kushnerit në Shqipëri
Emri i Grenellit është shfaqur gjithashtu në projektet e investimit të Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit, në Serbi dhe Shqipëri, përmes kompanisë së tij Affinity Partners.
Në Beograd, kompania e Kushnerit kishte planifikuar një investim prej më shumë se 500 milionë dollarësh në kompleksin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, të bombarduar nga NATO në vitin 1999. Projekti parashikonte ndërtimin e një hoteli luksoz dhe një kompleksi rezidencial.
Sipas raportimeve të revistës The New Yorker, Grenell ishte përfshirë në projekt dhe kishte pasur kontakte me qeverinë e Vuçiçit për zhvillimin e tij. Nisma u përball me protesta në Serbi për shkak të rëndësisë historike të ndërtesës dhe kundërshtimeve ndaj procedurave për heqjen e statusit të saj si monument i mbrojtur.

Çështja u shoqërua edhe me hetime dhe akuza ndaj zyrtarëve serbë për falsifikim dokumentesh. Në dhjetor 2025, Affinity Partners njoftoi tërheqjen nga investimi, duke argumentuar se projekte të rëndësishme duhet të bashkojnë dhe jo të përçajnë qytetarët.
Ndërkohë, në Shqipëri, Grenell është përmendur si një prej personave që ka nxitur interesimin e Kushnerit për investime turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.

Projektet, me një vlerë të parashikuar prej rreth 4 miliardë dollarësh, përfshijnë resorte luksoze, hotele, porte jahtesh dhe njësi rezidenciale.
Sipas investigimit të The New Yorker, Grenell ka luajtur rol në afrimin e Kushnerit me Shqipërinë dhe në krijimin e kontakteve me kryeministrin Edi Rama. Projektet kanë shkaktuar debate dhe kundërshtime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura, çështjet e pronësisë dhe transparencën e procedurave.
