Aktualitet

Vezët drejt eskortës së Ramës në Durrës, 2 të arrestuar dhe 9 të proceduar!

Përpjekja për të bllokuar rrugën, si edhe vezët e sendet e forta drejt eskortës së kryeministrit Edi Rama, dje në aksin Maminas-Gjiri i Lalzit, dy të arrestuar për goditje për shkak të detyrës dhe 9 të proceduar penalisht në gjendje të lirë, për prishje të qetësisë publike.

Sipas bluve, në pranga ranë dy shtetas të moshave 28 e 37 vjeç, me banim në Tiranë. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë Durrës.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:

E.L., 28 vjeç dhe A.D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Gjithashtu, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

E.P., 33 vjeçe, D.G., 50 vjeç, O.D., 34 vjeç, M.C., 28 vjeçe, L.A., 24 vjeçe, I.R., 31 vjeç, N.S., 23 vjeçe, J.S., 25 vjeçe, të 8-të banues në Tiranë, si dhe I.Ll., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Këta shtetas, më 14.11.2026, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit, tentuan të bllokojnë rrugën dhe hodhën vezë e sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.