OBRM-PDUKM, partia në pushtet, kërkon hetim të plotë për transaksionet dhe rolin e ish-funksionarëve në procesin e hyrjes së “Alta Banka”-s në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, pas këtij procesi qëndrojnë interesa biznesi të ish-partnerëve qeverisës, LSDM-së dhe BDI-së.
Akuzat e partisë përqendrohen te “AS Senjak” nga Kërçova, kompani në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin ajo e identifikon si krushk të Ali Ahmetit. Sipas kronologjisë së paraqitur në kumtesë, në tetor 2024 “AS Senjak” bleu një paketë të konsiderueshme aksionesh në Bankën Komerciale të Manastirit.
Të lidhura
None found
OBRM-PDUKM thotë se në qershor 2025 një kompani e lidhur me të njëjtin rreth biznesi mori kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Beograd. Më 17 shtator 2025, tre muaj më vonë, “AS Senjak” ia shiti aksionet e saj në bankën e Manastirit biznesmenit serb Davor Macura dhe “Alta Banka”-s, sipas partisë. Kjo, siç pretendon ajo, mundësoi marrjen e kontrollit mbi bankën, e cila më pas mori emrin “Alta Banka Maqedoni”.
Për OBRM-PDUKM-në, kreditimi, shitja e aksioneve dhe marrja e kontrollit mbi bankën ngrenë dyshime për lidhje të mundshme mes këtyre veprimeve.
Në kumtesën e saj, partia e cilëson rastin “Alta Banka” si dëshmi të mënyrës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, të udhëhequra nga Ahmeti dhe klani Zaev. Ajo pretendon se shteti dhe qytetarët nuk kanë qenë përparësi për ta dhe se vëmendja e tyre është përqendruar te skemat e biznesit, marrëveshjet jotransparente dhe pasurimi i individëve brenda natës.
Partia në pushtet i përfshin në akuzat e saj edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi. Sipas OBRM-PDUKM-së, ata kanë mbështetur aktivisht hyrjen e “Alta Banka”-s në sektorin financiar të vendit.








