Moderatorja Xhemi Shehu nuk do të jetë pjesë e asnjë programi në Top Channel gjatë këtij sezoni televiziv. Pas largimit nga “Portokalli” dhe “Fiks Fare”, dy formate ku ka qenë e angazhuar për vite me radhë, ajo pritet të provojë një tjetër drejtim në karrierën e saj.
Sipas informacioneve të publikuara nga Vip Magazine, Xhemi Shehu pritet të marrë pjesë si aktore në filmin e ri të regjisorit Eduart Grishaj, me producente Arbana Osmanin, e cila është edhe një nga mikeshat e saj të ngushta.
Në këtë projekt kinematografik pritet të marrë pjesë edhe aktori Jul Deda, me të cilin Xhemi ka bashkëprezantuar emisionin investigativ “Fiks Fare”.
Nëse informacionet konfirmohen, dyshja do të ribashkohet në një projekt të përbashkët, por këtë herë jo në ekranin televiziv, por në kinema.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për rolin që Xhemi Shehu do të interpretojë në film, ndërsa mbeten për t'u konfirmuar edhe detajet e tjera të produksionit.
