Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burgim në Francë, pasi janë shpallur fajtorë për përfshirjen në një seri prej 18 vjedhjesh në banesa në rajonin e Haut-Rhin dhe zonat përreth. Bëhet fjalë për një grup prej katër personash, të moshës rreth 30 vjeç, të cilët dyshohet se vepronin në mënyrë të organizuar, duke hyrë në banesa dhe duke marrë sende me vlerë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, aktiviteti i tyre kishte shkaktuar shqetësim te banorët, të cilët në disa raste i kishin gjetur shtëpitë të bastisura dhe ambientet e brendshme të përmbysura. Autorët hynin në banesa duke dëmtuar dritaret dhe grilat, ndërsa më pas kontrollonin ambientet dhe merrnin bizhuteri, ora, para dhe pajisje elektronike. Përveç humbjeve materiale, ngjarjet kishin ndikuar edhe në ndjenjën e sigurisë së familjeve të prekura.
Hetimi për identifikimin e tyre zgjati disa javë dhe u drejtua nga xhandarmëria në Colmar. Gjatë punës hetimore, autoritetet analizuan komunikimet telefonike, kryen vëzhgime dhe ndoqën lëvizjet e personave të dyshuar, përfshirë përdorimin e një automjeti tip Audi. Pavarësisht përpjekjeve për të ndryshuar automjetet, numrat e telefonit dhe vendqëndrimet, hetuesit arritën t’i lidhin katër personat me 18 raste të dyshuara vjedhjesh.
Arrestimi i tyre u krye më 6 nëntor 2026, në një strukturë akomodimi në Mortagne, në rajonin e Vosges. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi rreth 20 mijë euro para të gatshme, bizhuteri dhe disa telefona celularë, të cilët u përdorën si prova në hetim. Në përfundim të procesit gjyqësor në Gjykatën e Colmarit, të katër shqiptarët u dënuan me nga tre vite burg secili, me ekzekutim të menjëhershëm të dënimit.
Ata kundërshtuan një pjesë të akuzave, por gjykata mori në shqyrtim provat e mbledhura gjatë hetimit, përfshirë përgjimet, vëzhgimet dhe dëshmitë e viktimave. Përveç dënimit me burg, ndaj tyre u vendos edhe ndalimi i përhershëm i hyrjes në territorin francez, masë që do të hyjë në fuqi pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.













